Politikë

Pas 2 vitesh, opozita kthehet nesër në parlament! PD mbledh pak para seancës deputetët! Asnjë takim me LSI që pas 25 prillit

9 Shtator 2021, 16:43| Përditesimi: 9 Shtator 2021, 16:58

  • Share

TIRANË- PD e LSI dy vite e gjysmë më parë zgjodhën të linin jetën parlamentare dhe të vijonin betejën jashtë institucioneve.  PD si udhëheqësja e koalicionit u ndoq pa hezitim nga aleatja më e madhe, LSI dhe partitë e tjera opozitare. Megjithatë, rikthimi në tempullin e ligjvënësve gjen në pozita të tjera partitë opozitare.

Partia Demokratike, LSI dhe aleatët futen të premten në parlament, pa zhvilluar asnjë mbledhje mes tyre për të dakordësuar një strategji opozitare të përbashkët.

PD nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje paraprake as me deputetët e saj, por pritet që mëngjesin e së premtes demokratët të zhvillojnë një takim në seli, përpara se t’i bashkohen deputetëve të tjerë në parlament. Selia blu është shprehur qartë me anë të udhëheqësit të saj, se pas 10 shtatorit do të përqëndrojë energjitë te propozimi i një sërë ndryshimesh ligjore e kushtetuese. Report Tv ka mësuar se draftet paraprake për reformim zgjedhor e territorial, do të nisin të propozohen që në tetor. 

Pavarëisht retorikës politike e debateve që do të prodhojë nga foltorja, gjasat janë që PD në parlament të tregohet konstruktive. Ashtu sikurse ka pohuar vazhdimisht, Sali Berisha do të jetë prezent në seancën e parë plenare. 

LSI ndonëse ndryshe nga PD pranoi se gaboi në djegien e mandateve, nuk është shprehur lidhur me qëndrimin që do të mbajë në parlament. 4 deputetët e saj nuk kanë zbuluar nëse do ta mbështesin  partnerin demokrat në ndryshimet që do të propozojë. Megjithatë nëse do të dojë të bëhet vetë nismëtare e ndryshimeve ligjore, LSI-së i duhet ndihma e PD për të formuar grupin parlamentar. Po ashtu edhe aleatët të cilët një ditë më parë, u dakordësuan mes tyre për një grup të përbashkët, të cilit Lulzim Basha duhet t’i dhurojë po ashtu deputetë. 

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?