Partizani drejt rimëkëmbjes. Java e 23 nis me supersfidën Kukësi-Tirana, luhet në 'Air Albania'

17 Shkurt 2020, 13:13| Përditesimi: 17 Shkurt 2020, 13:16

  • Share

Java e 22 e Superligës zgjeroi gamën e skuadrave të cilët pretendojnë për titull kampion, pasi Partizani ngushtoi diferencën me skuadrat e kreut si pasojë e fitores së tretë radhazi dhe barazimit respektivë të Tiranës dhe Kukësit. Kampionët në fuqi në rastin më të keq javën e ardhshme kanë mundësinë të afrohen më shumë me kreun në rast fitoreje kundër Bylysit, ndërsa në rastin më të mirë mund të zbehin akoma më shumë diferencat me dy skuadrat e kreut, pasi Tirana dhe Kukësi do të vihen përballë njëra-tjetrës. Aktualisht Kukësi udhëheq me 42 pikë, 1 më shumë se Tirana e vendit të dytë dhe 5 më shumë se Partizani i vendit të tretë.

Për t’u veçuar këtë raund janë edhe arbitrat, të cilët pas shumë javësh nuk bëhen protagonist. Mbledhja e mesjavës e ‘xhaketave të zeza’ me shefin e sektorit të arbitrave duket se ka dhënë frytet e veta pavarësisht se është shumë herët për të thënë se ky moment i vështirë kaloi.

Ndërkohë Flamurtari i dha fund rekordit më negativ të rregjistruar në Europë. Vlonjatët arritën të fitonin ndeshjen e parë në kampionat në muajin shkurt, pikërisht në sfidën me Luftëtarin ku ia dolën me shifrat 0-1. Për vlonjatët ky ishte tre pikëshi i parë në harkun kohor të 9 muajve, duke marë parasysh edhe rezultatet e sezonit të kaluar.

Sakaq Komisioni i Garave në FSHF ka zbuluar edhe kalendarin për javën e ardhshme, e cila do të hapet me supersfidën Kukësi-Tirana. Ky takim është caktuar të luhet në orën 18:00 ditën e premte, ndërsa pavarësisht se nuk ka ende një njoftim zyrtar për stadiumin është thuajse e sigurtë që do të zhvillohet në ‘Air Albania’.

Ndërkohë katër sfidat e tjera të javës së 23 do të luhen ditën e shtunë. Në orën 14:00 Vllaznia do të presë Luftëtarin, ndërsa Flamurtari-Laçin. Dy ndeshjet e tjera janë caktuar të zhvillohen në orën 17:00 mes Partizanit dhe Bylist si dhe ndërmjet Skënderbeut dhe Teutës.

Ne.k./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?