Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi

Partia e Lirisë: Qytetarët paguajnë taksat rregullisht, shërbimet publike që marrin nga qeveria janë baras me dy bukë

17 Janar 2023, 12:10| Përditesimi: 17 Janar 2023, 12:17

  • Share

Partia e Lirisë, ka akuzuar qeverinë për shërbime të dobëta ndaj qytetarëve shqiptarë pavarësisht taksave që paguhen. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi u shpreh se shërbimet publike që merr çdo qytetar që paguan rregullisht taksat, kapin vlerën e 1.7 eurove në ditë. 

Blushi shkruan se Eurostat e rendit Shqipërinë të fundit në Evropë dhe rajon sa i takon shërbimeve publike që qeveria ofron për qytetarët. 

“Për çdo shqiptar që paguan rregullisht mijëra lekë taksa, shërbimet publike që merr nga Qeveria kapin vlerën rreth 1.7 euro në ditë, thënë ndryshe baraz me 2 bukë. EUROSTAT e rendit Shqipërinë të fundit në rajon dhe Europë për shpenzimet që Qeveria bën për qytetarët.

Për shëndetin, arsimin dhe shërbimet e përgjithshme publike "Rilindja" shpenzon në vit 644 euro për çdo qytetar. Në Mal të Zi shifra fiksohet pranë 1,585 eurove për frymë, ose rreth 2.5 herë më shumë se në vendin tonë.  Për Serbinë, shifrat flasin për 1,315 euro për frymë. Në Bashkimin Europian, mesatarisht kjo normë fiksohet pranë 7,156 eurove për frymë në vit”- shkruan Blushi. 

Ai tha se qeveria shqiptare shpenzon 11 herë më pak për qytetarët e saj krahasuar me atë që shpenzojnë qeveritë e vendeve të Bashkimit Europian. Duke thënë këto, Blushi akuzoi qeverinë shqiptare për vjedhjen e taksave të qytetarëve dhe shpenzime luksi qeveritar. 

“Pra, Qeveria shqiptare shpenzon për qytetarët e saj 11 herë më pak se ajo që shpenzojnë qeveritë e vendeve të BE. Shqiptarët paguajnë taksat por Qeveria e tyre i vjedh papushim me inceneratorë, koncensione, tendera sekretë, me PPP, në dogana e tatime dhe me shpenzime luksi, si udhëtimet e Kryeministrit me avion personal. Është kjo arsyeja pse vetëm në një vit "Rilindja" vodhi 1 miliard euro taksa, ndërkohë që Edi Rama dhe zyrtarët e tij flejnë mbi miliona e qindra mijëra euro poshtë dyshekëve dhe mbushin tubat e ajrimit me para”-përfundon Blushi. 
 

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?