Partia e Lirisë akuza Veliajt se po shpërdoron buxhetin: 80 mln euro shkojnë vetëm për pagat e militantëve të punësuar në Bashki

6 Nëntor 2022, 15:09| Përditesimi: 6 Nëntor 2022, 17:29

  • Share

Pas inspektimit që kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi sot në punimet e shkollës Partizani dhe asaj të lekë Dukagjinit, Partia e Lirisë e akuzoi për shpërdorimin të buxhetit. Sipas nënkryetarit të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllarit 80 milionë euro nga buxheti shkon vetëm për pagat e administratës së fryrë të bashkisë, e kthyer në një zyre pune për militantët partiak.

Në një deklaratë për mediat Braimllari tha se Bashkia Tiranë ende nuk ka ujë të pijshëm 24 orë, ndonëse Veliaj e pati premtuar se do ta realizojë brenda 4 viteve.  

Nënkryetari i Partisë së Lirisë tha se shumica e rrugëve dhe rrugicave në Tiranë janë të pashtruara, ndërsa Tirana është mbushur me kulla pa kriter.

Deklarata e plotë e nënkryetarit të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari

Jemi në këtë komunikim me mediat për të denoncuar për të disatën herë shpërdorimin dhe keqmenaxhimin e fondeve publike nga Bashkia e Tiranës. Erion Veliaj e ka kthyer Bashkinë e Tiranës jo vetëm në lavatriçe të pastrimit të parave, por dhe në një strukturë gjobvënie ku grabiten qytetarët.

Bashkia Tiranës, pas 8 vitesh administrim nga Erion Veliaj ende nuk siguron ujin e pijshëm për banorët e kryeqytetit me gjithë rritjen stratosferike të çmimit të ujit dhe premtimin që për 4 vite Tirana do të kishte 24 orë ujë. Po ashtu problematika me trafikun dhe infrastrukturën në Tiranë vijon të mbetet problem shqetësues.

Përtej disa investimeve, që Erion Veliaj i përdor për fasadë, shumica e lagjeve dhe rrugicave në qendër por sidomos në periferi të Tiranës janë në mëshirë të fatit. Tirana falë Erion Velisë është bërë mbytëse nga kullat pa kriter dhe betonizimi, i cili ishte zotimi i Erion Veliajt në 2015 që nuk do të lejonte ndërtime të reja shumëkatëshe në Tiranë.

Në vitin 2019, Banka Botërore konstatonte se gati 10 për qind e vdekjeve në Shqipëri ndodhin për shkak të ndotjes së mjedisit. Natyrisht që në vendin e parë ishte Tirana, ku përqindja e vdekshmërisë për shkak të ndotjes ishte edhe më e madhe.

Prej atëherë situata është përkeqësuar, teksa smogu i shkaktuar nga makinat dhe kantieret e ndërtimit të kullave është kthyer në një problem për të gjithë banorët. Bashkia e Erion Veliajt ka hartuar për 2023 një megabuxhet me plot 250 milionë euro fonde.

1/3 e tij ose 80 milionë euro shkon vetëm për pagat e administratës së fryrë të bashkisë, e cila është kthyer në një zyre pune për militantët partiak dhe patronazhistët për t’i përdorur në fushatën e radhës. Por në këtë buxhet bashkia nuk parashikon asgjë për të ulur nivelin e ndotjes që po merr çdo ditë jetë njerëzish.

Por mbi të gjitha në këtë buxhet Bashkia e Tiranës nuk parashikon asgjë për të luftuar varfërinë dhe për të nxitur punësimin. Ky është buxheti elektoral dhe personal i Erion Velisë, ku çdo gjë është vendosur në funksion të zgjedhjeve të ardhshme vendore nga kryetari në ikje i bashkisë.

Ndaj është momenti që më mbështetjen e qytetarëve të kthejmë llogaridhënien në Bashkinë e Tiranës, të kthejmë Këshillin Bashkiak në Parlamentin e qytetit ku përcillet zëri i tyre, ku rritet transparenca dhe hapet bashkia për të gjithë banorët e Tiranës.

SI.E.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Liku: 06/11/2022 18:30

    Ik ore llar me gjithe hajdutin dhe spiunin tend

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Pronat shtetërore mund të shkëmbehen me private, si e vlerësoni ligjin?