Lulzim Basha dhe Sali Berisha

Partia Demokratike në eksperimente, elektorati në pritje

10 Shtator 2023, 16:22| Përditesimi: 11 Shtator 2023, 08:50

  • Share

Me vetëm kronikën, që ka rrjedhur pas shpalljes non-grata të Berishës dhe, duke vazhduar me largimin e tij zyrtar prej Bashës nga grupi parlamentar; procesin e “Foltores”; Janarin e Shqup-it mund të bëhet një histori e zhvillimeve politike të Partisë Demokratike dhe të tregohet vazhdimësia e saj. Për gati dy vjet, ndërsa Rama ka marrë pareshtur pushtet, duke iu bjerrur fuqia vetëm nga goditja e SPAK-ut, PD-ja, nga ana tjetër, është rrudhur e rrudhur pa fund. Kuvende të shumta, riparimet statuti, dorëzime në gjykatë, padi në gjykatë, manipulime numrash dhe akuza e akuza, mbushin kronikën e saj. Është e vështirë për një qytetar, që është pranë vijës së pretenduar ideologjike të saj, të ndihet mirë dhe të kuptojë këtë tollovi. Rikthimi i Bashës ka rikthyer besimin te një palë stoikësh te PD-ja legale, ndërsa u ka dhënë përkatësinë e duhur pjesës, që ishte kinse në mes me argumentin kundër drejtimit të Berishës dhe me dëshirën e moskthimit të Bashës. Edhe, ata, e kanë tashmë një ‘strehë’. Paradoksalisht, këta të fundit, e dinin më mirë se cilido tjetër te PD-ja, që Berisha dhe Basha nuk heqin dorë. Të gjithë i janë falur kohës dhe mbi të gjitha pritjes së Godosë, por në të gjitha rastet, ai që u vjen përballë: o është në përfytyrimin e Berishës o të ish-delfinit të tij Bashës. A ka mundësi ky i fundit, që të rikthejë diçka? Koha po tregon se është e pamundur, pavarësisht optimizmit që kjo pjesë po merr prej formatimit të strukturës dhe besimit, që po mundohet të shpërndaja Basha dhe në mbledhjen e fundit të Kryesisë.

E vetmja gjë që mbetet për ata që e kundrojnë të gjithë procesin e zhvillimeve te PD-ja është ndërfutja e Drejtësisë. Nëse ajo do ta zgjidhi përfundimisht dhe brenda afateve normale problemin e simbolikës së saj dhe përkatësinë reale të këtij formacioni, mbase fillimisht do jenë vetë njerëzit e strukturave që do përballen me realitetin dhe do vendosin. Por, një prononcim i juristit Ledio Braho, një zyrtari të KAS-it tregon se kjo do të marrë kohë: “Zgjidhja ligjore patjetër që do të marrë kohë. Pasi çështja duhet të zgjidhet në Gjykatën e Lartë, dhe pa një vendim të tillë nuk mund të ketë një vendimmarrje nga ana e Gjykatës së Tiranës e cila vendos se kush është kryetari i PD-së”. Kjo do të thotë se do të vazhdojnë aktivitetet dhe funksionimi i dy pjesëve të PD-së, si njësi të ndara, ashtu si duket e ardhmja e këtij formacioni: Dy PD.

Bashës i janë shtuar tashmë kundërshtarët, por çuditërisht s’janë në pushtet por janë në vetë frymën e PD-së. Nga këtu mëton ngritjen, kryetari i rikthyer Basha, që tashmë do të shikojë sesi mund të ecësh vetë, pa ndikimin e Berishës. Ndërkohë elektorati e pret të gjithën, por më shumë se kaq ankthin për një përfaqësim, që po tregon se nuk i përfaqëson, ashtu si do të donin. Ndërkohë që, po ndodh se shumë njerëz të thjeshtë të opozitës po pasurohen shumë edhe në opozitë, kurse ata mbeten udhëve. Kjo është tragjedia e njerëzve të thjeshtë të PD-së, që ndërsa krerët kanë mundësi të eksperimentojnë me PD-në, ata të mbeten në pritje të një…asgjëje.

B.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?