Papa në G7: Mos lejoni që makinat të vendosin cili njeri do jetojë

14 Qershor, 22:37| Përditesimi: 14 Qershor, 23:03

  • Share

Samiti i G7, kësaj radhe i mbajtur në Itali, është zhvilluar për herë të parë në praninë e një Pape.

Fokus i fjalimit të Papa Françeskut ishin luftërat që kanë shpërthyer në çdo qoshe të botës, rreziku nga inteligjenca artificiale dhe debati për abortin. 

“Në një dramë si ajo e konflikteve të armatosura, është urgjente të rimendohet zhvillimi dhe përdorimi i pajisjeve të tilla të ashtuquajtura “armë autonome vdekjeprurëse” duke ndaluar përdorimin e tyre dhe duke filluar me një angazhim aktiv dhe konkret për të pasur mbi to kontrollin e njeriut. Asnjë makineri nuk duhet të zgjedhë nëse do t’i marrë jetën një qenieje njerëzore”,– tha ai.

Para liderëve të botës, Papa nënvizoi rëndësinë e “politikës së shëndoshë” për të “parë të ardhmen me shpresë dhe besim”. 

“Shoqëria botërore ka mangësi serioze strukturore që nuk mund të zgjidhen thjesht me korrigjime të herëpashershme ose me rregullime të shpejta. Duhet të shkojmë tek rrënjët”, – theksoi Papa.

“Përballë mrekullive të makinerive, të cilat duket se dinë të zgjedhin në mënyrë të pavarur, duhet të jemi të qartë se qenies njerëzore duhet t’i lihet gjithmonë vendimi, madje edhe me tonet dramatike dhe urgjente me të cilat kjo ndonjëherë shfaqet në jetën tonë. Ne do ta dënonim njerëzimin me një të ardhme të pashpresë nëse do t’u hiqnim njerëzve aftësinë për të vendosur për veten dhe jetën e tyre, duke i dënuar ata të varen nga zgjedhjet e makinerive” –nënvizoi ai për inteligjencën artificiale.

Papa hyri në një karrige me rrota, i shoqëruar nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe shkoi rreth tryezës së madhe ovale duke përshëndetur udhëheqësit një nga një. 

Më pas ai u ul në kolltuk në një pozicion qendror, me Melonin në të majtë në anën e tij dhe Presidentin e Francës Emmanuel Macron në të djathtë.

K.M//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?