Pandemia fut në recesion 9% vendin, BERZH: Prioritet për 2021 lufta ndaj informalitetit, kujdes PPP-të dhe borxhin publik

12 Nëntor 2020, 14:57| Përditesimi: 12 Nëntor 2020, 15:17

  • Share

Pas një rënie të fortë ekonomike në këtë vit të parashikuar në nivelin e 9% nga BERZH, vendi duhet të fokusohet në disa fusha kryesore sipas institucionit ndërkombëtarë. Luftimi i informalitetit, korrupsionit, thjeshtimi i sistemit fiskal e tatimor, nxitja e kreditimit si dhe rritja e mbikëqyrjes së PPP-ve duhet të jenë në fokus të qeverisë sipas BERZH.

Në një kohë që në buxhetin e vitit që vjen janë parashikuar pagesa për koncesionet 14.5 miliardë lekë, BERZH sugjeron që qeveria duhet të sigurojë qëndrueshmërinë e borxhit publik si dhe të forcojë menaxhimin e investimeve publike që përmbajnë rreziqe fiskale të tilla si ato që kanë të bëjnë me programet e partneritetit publik-privat.

Elementi tjetër ku është ndalur BERZH në raportin më të fundit për vendin është sistemi i taksave. Edhe pse kërkesa e vazhdueshme e ndërkombëtarëve është thjeshtimi i tij dhe eliminimi i pragjeve në 2021, shteti ka vendosur të heq taksat për biznesin e vogël.

“Masat duhet të rriten për të luftuar informalitetin dhe për të rritur barazinë në ndërmarrjet private. Masat kryesore në këtë drejtim përfshijnë një sistem të thjeshtuar tatimor dhe procedurat, kapacitetet e forcuara në administratën publike, mbështetjen e mëtejshme dhe stimulimet për të ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme për të zyrtarizuar aktivitetet e tyre dhe një luftë më vendimtare kundër korrupsionit”, thuhet në raport.

BERZH i vlerëson si pozitive masat e ndërmarra nga qeveria për pandeminë, por përsëri i qëndron parashikimit për një recesion të vështirë dhe për një kapërcim të borxhit mbi 80% të Prodhimit të Brendshwm Publik. Në raport theksohet edhe një herë se goditja më e fortë e ekonomisë do të jepet nga mungesa e turistëve dhe lidhjet tregtare me vende si Italia që është goditur fort nga pandemia.

er.k.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?