Panairi, ish-punonjësi i Bibliotekës : I dashuruar me librin sa të jem gjallë! Jam pensionist, kërkoj libra me vlerë e të lirë! Pyeta për Kadarenë, ja ç’më thanë!

16 Nëntor 2022, 17:43| Përditesimi: 16 Nëntor 2022, 19:51

  • Share

Janë të shumtë vizitorët këtë të mërkurë, ditën e parë të Panairit të 25-të Librit dhe të të gjitha moshave. Reflektorët në 97 stendat në Pallatin e Kongreseve bien kryesisht mbi personazhet, politikë, njerëz të librit, apo të tjerë që katapultohen nga fama në letërsi...  Uljet variojnë, nga 10 për qind, disa tituj me çmime të përgjysmuara, e më të pakta librat që i gjen me zbritje më të larta çmimesh. Për pensionistë, si ish-punonjësi i Bibliotekës Kombëtare, Dhimitër Myzeqari, që janë të dashuruar pas leximit, ky është një moment i veçantë.

 

“Dashuria për librin do të mbetet sa të jem gjallë e të kem mundësi për të lexuar, por unë mbështetem tek dy gjëra në këtë Panair. E para është vlera e librit dhe e dyta dhe çmimi, se unë jam pensionist. Sot përzgjodha një libër të Leon Tolstoit, “Qorrfermanin” e Kadaresë, dhe disa autorë nobel”, thotë ai.

 

Profesionet si mësues e bibliotekar fillimisht në Berat e më pas 12 vjet në Tiranë, kanë bërë që të jetë sqimatar në përzgjedhjen e titujve. E ndjen trishtim, sa herë kujton kur në vitet 2000 në Bibliotekën Kombëtare, radha ishte e gjatë, ndërsa sot, librat kërkohen më rrallë.

“Mbase do nxitohem, por në kohën që unë isha atje, dhe drejtohej nga Aurel Plasari, interesi sidomos i brezit të ri për librin, ishte goxha i madh. Më vjen keq tani kur shkoj të marrë ndonjë gjë, dhe shikoj që gjendja është ‘si të ketë rënë bomba’”, thotë ish-punonjësi i Bibliotekës.

Vetë është munduar ta trashëgojë tek dy fëmijët që jetojnë jashtë vendit kulturën e leximit, ndonëse ritmet e jetës siç thotë janë përshpejtuar.

Nga titujt që ka blerë, e ka të qartë nga do ta nisë sot leximin, në pritje të takimit me autorin e tij të preferuar.

“Po e nis leximin sot nga ‘Qorrfermani’, Kadaresë së madh. Ndrinte Pavioni i “Onufrit” kur ishte aty Kadare, dhe firmoste librin... Një madhështi më vete! Unë pyeta sot, e më thanë do vij, dhe më erdhi mirë, se mosha bën të vetën po ai mbetet magjistar i fjalës shqipe”, shton  më tej.

A.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?