Pakti i heshtur/PD-PS sërish
kundër LSI e partive të vogla

14 Janar 2018, 07:59| Përditesimi:

  • Share
Dhjetë vjet pas marrëveshjes së famshme Berisha-Rama, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duket se janë bërë sërish bashkë kundër Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe partive të vogla. Pavarësisht përplasjeve për gjithçka tjetër, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duket se e kanë gjetur sërish gjuhën e përbashkët për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor, ndryshim i cili do të çonte në dobësimin e dy partive të mëdha, duke forcuar në të njëjtën kohë pozitat e partive të vogla dhe sidomos të LSI. 

Kërkesa kryesore dhe e përhershme e partive të ashtuquajtura të vogla dhe LSI, për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke përfshirë elementin e korrektimit kombëtar të votave, nuk figuron në axhendën e komisionit ad-hoc për reformën zgjedhore. Ky komision është ngritur me një vendim i miratuar nga Parlamenti, por i propozuar nga Partia Demokratike.

Vendimi është shoqëruar me një relacion shpjegues, i përgatitur po nga deputetët e Partisë Demokratike. Në të gjitha raportet, dokumentet dhe vendimet e prodhuara deri më tani nga Parlamenti, vetë komisioni për reformën dhe OBEA/ODIHR për reformën zgjedhore, nuk figuron askund diskutimi i propozimit për ndryshimin e sistemit zgjedhor, duke implementuar korrektimin kombëtar.

Grupet e ekspertëve teknikë të dy partive kryesore, PD dhe PS, do të çojnë një raport ose dy raporte paralele në komisionin për reformën zgjedhore për ndërhyrjet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor, por shqyrtimi i ‘korrektimin kombëtar’ nuk është pjesë e detyrës së tyre. Kreu i Partisë Republikane, anëtar i komisionit, Fatmir Mediu, tha për Shqiptarja.com se ende nuk është arritur tek diskutimi i kësaj çështje. Ndërsa, kreu i PDK, Nard Ndoka, gjithashtu anëtar i komisionit, pohoi se po negociohet për këtë çështje me PD, ndonëse nuk ka një rezultat.

Ndërkaq, anëtarë të PD në komision pohuan për Shqiptarja.com se prioritet për ta është zgjidhja e problemit të shitblerjes së votave, numërimi dhe votimi elektronik, eliminimi i ndikimit të krimit dhe të gjitha mekanizimet që garantojnë votën e lirë. Ndërsa përfaqësues nga PS thanë se prioritet për ta është vota e emigrantëve dhe reflektimi i në ndryshimet e reja të të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR në zgjedhjet e 2015 dhe 2017.

Pakti
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë rënë dakord që Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, ekspertë të OSBE/ODIHR-it, Këshilli i Evropës, ekspertë të Komisionit të Venecias, si dhe përfaqësues dhe ekspertë të BE-së dhe SHBA-ve, të japin asistencë dhe ekspertizë teknike në punimet e komisionit dhe të grupit të ekspertëve teknikë. Dy partitë kryesore kanë rënë gjithashtu dakord që, për çështje të veçanta, për të cilat palët nuk kanë gjetur konsensus, do të vlerësohet dhe kërkohet asistenca e ekspertizës së OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venecias.

Dy partitë kryesore, ndonëse jo në mënyrë të shkruar, janë dakord për të mos ndryshuar sistemin zgjedhor. Çështja e ndryshimit të sistemit nuk reflektohet as në dy raportet e fundit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, fakt ky në disfavor të partive të ashtuquajtura të vogla.

Kërkesa e LSI
Në shtator të vitit të kaluar, kryetari i grupit parlamentar i LSI, Petrit Vasili, ka akuzuar PS dhe PD se kanë penguar ndryshimin e sistemit, për të garantuar barazinë e votës. Ai ka kërkuar edhe një herë ndryshimin e sistemit, duke i referuar pikërisht korrektimit kombëtar. “Së pari vendi ka nevojë në mënyrë të padiskutueshme për një reformë zgjedhore të vërtetë, të thellë dhe që u jep përgjigje plagëve të mëdha të zgjedhjeve në Shqipëri.

Sistemi zgjedhor shqiptar dhe zgjedhjet në Shqipëri kanë një tjetër plagë të madhe që është pabarazia e votës, pasi në qarqe të ndryshme vota e Shqiptarëve peshon ndryshe dhe kjo është një pabarazi ekstreme antikushtetuese të cilës nuk i është dhënë asnjëherë përgjigje e penguar pikërisht nga këto dy forca politike”
, ka pohuar Vasili.

Lufta për sistemin 
Thelbi i konfliktit disavjeçar mes partive kryesore dhe partive ashtuquajtura të vogla konsiston pikërisht tek sistemi zgjedhor. PD-PS kërkojnë mbrojtjen e sistemit aktual, ndërsa partitë e tjera, përfshirë edhe LSI, kërkojnë ndryshimin e sistemit, duke përfshirë elementin e korrektimit kombëtar, që do të thotë mbledhja e të gjitha votave në rang kombëtar dhe përthyerja në mandate. 

Korrektimi kombëtar rrit fuqinë e partive të vogla dhe maksimalizon vendet e tyre në parlament, por nga ana tjetër ul numrin e deputetëve për PD-PS, të cilat marrin një numër të caktuar deputetësh me votat e të vegjëlve.

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?