Pakti i 5 Qershorit për KQZ-në e re, Kuvendi hap aplikimin për vendet e lira (Kriteret dhe afatet)

29 Gusht 2020, 12:14| Përditesimi: 29 Gusht 2020, 15:18

  • Share

TIRANE-Kuvendi i Shqipërisë ka shpallur garën për vendet e lira për KQZ e re që do të strukturohet sipas paktit të 5 qershorit që u miratua në Kuvend në fund të korrikut dhe që ka hyrë në fuqi për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021.

Njoftimi i plotë i Kuvendit
Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në nenet 13,14,15,16, 181 dhe 183 të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në nenin 111 të Regullores së Kuvendit, shpall hapjen e procedurës së aplikimit për vendet vakante për:

- Komisioner Shtetëror të Zgjedhjeve

- Nënkomisioner Shtetëror të Zgjedhjeve

- 5 anëtarë të Komisionit Rregullator

- 5 anëtarë të  Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve

Komisioner Shtetëror i Zgjedhjeve mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që vjen nga radhët e ish-funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të-ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

Përzgjedhja e Komisionerit bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.

Nënkomisioner Shtetëror i Zgjedhjeve mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që vjen nga radhët e ish-funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të-ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

Përzgjedhja e Nënkomisionerit bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në drejtim, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.

Anëtar i Komisionit Rregullator mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që vjen nga radhët e ish-funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të-ish drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

Përzgjedhja e anëtarit të Komisionit Rregullator bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në hartimin, shqyrtimin ose oponencën e legjislacionit, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.

Anëtar i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që vjen nga radhët e ish-gjyqtarëve, ish-këshilltarëve në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë, ish-anëtarëve të KQZ-së, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues ose të juristëve në profesion të lirë, me përvojë në gjykime administrative.

Përzgjedhja e anëtarit të KAS-it bëhet në bazë të eksperiencës së mëparshme të suksesshme në shqyrtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të ligjshmërisë së demonstruar ose të provuar në ushtrimin e detyrave apo funksioneve dhe të reputacionit publik të kandidatit. Dokumentet apo referencat provuese të kandidatit për suksesin dhe ligjshmërinë në ushtrimin e detyrave duhet të shtrihen së paku për një periudhë vazhduese 3-vjeçare veprimtarie.

Kandidatët e interesuar duhet të paraqesin dokumentacionin e mëposhtëm:

Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant;

Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);

Fotokopje të kartës së identitetit;

Dokumentacionin shoqërues nëpërmjet të cilit vërtetohet përmbushja e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenet 13,14,15,16  të ligjit nr. 10 019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;

Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi;

Formularin e aplikimit “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, të plotësuar në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e Ish-sigurimit të shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.  Formulari gjendet bashkëlidhur këtij njoftimi.

Cdo individ i interesuar mund te aplikoje edhe per me shume se nje nga pozicionet e mesiperme ne rast se i plotesojne kriteret e percaktuara

Kërkesa për shprehjen e interesit, e shoqëruar me dokumentacionin e mësipërm, duhet të paraqitet brenda datës 18 shtator 2020 në zyrën e protokollit të Kuvendit, ose me postë në adresën:

Kuvendi i Shqipërisë, Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 4, Tiranë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?