Viti shkollor 2023-2024, Balla e Kushi prezantojnë paketën e sigurisë: Lufta kundër ‘spaçatorëve’, sfida kryesore e policisë

1 Shtator 2023, 12:09| Përditesimi: 1 Shtator 2023, 14:21

  • Share

Në prag të vitit të ri shkollor, ministri i brendshëm Taulant Balla shpalli luftë kundër spaçatorëve që veprojnë pranë institucioneve arsimore.

‘Në ditët në vijim dhe sistematikisht në javët në vijim, unë presnga Policia në bashkëpunim me Prokurorinë, rezultate domethënëse në luftën kundër “spaciatorëve”. Ky është një Operacion Kombëtar, më i madhi i zhvilluar ndonjëherë, nën komandën direkt të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.’- tha Balla, Ministër i Brendshëm.

Gjatë prezantimit të Paketës së Sigurisë në Shkolla për sezonin 2023-2024, Balla paralajmëroi ndryshime ligjore dhe ashpërsim të dënimeve për krime si dhuna, prostitucioni apo tregtimi i lëndëve narkotike edhe jashtë gardhit rrethues në zonat pranë shkollave.

‘Brenda këtij muaji, do të propozojmë një paketë ndryshimesh ligjore për ashpërsimin e dënimit për veprat penale që kryhen brenda Perimetrit të Sigurisë së shkollave, duke filluar në radhë të parë nga shitja dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, e më tej mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta, si dhe çdo vepër dhune, shfrytëzimi, prostitucioni apo pornografie.’- tha Balla, Ministër i Brendshëm.

Sipas Ballës, këtë vit rendi në shkolla do të garantohet mbi bazën e parimit të një perimetri sigurie në këto institucione, që përfshin edhe kontrollin e subjekteve tregtare në afërsi të tyre por edhe disiplinimin e trafikut rrugor.

‘Këtu dua të jem i qartë! Një bar, ai lokali përballë shkollës, brenda Perimetrit të Sigurisë, tek i cili do të provohet nga Policia dhe konfirmohet nga prokuroria dhe gjykata, përfshirja në veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, do t’i hiqet e drejta e ushtrimit të aktivitetit tregtar.’- u shpreh Balla.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, tha se oficerët e sigurisë do të vendosen edhe pranë shkollave 9 vjeçare ku është vënë re një rritje e problematikave.

Plani për sigurinë në shkolla që nis në datën 4 shtator, përfshin edhe institucione të tjera si policia rrugore, inspektoriati i mbrojtjes së territorit, AKU, etj.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?