'Pagën e luftës do e marrim kur të çlirohet Shqipëria'! Taksistët nisin punën, por nuk respektojnë masat (Vëzhgimi i Report Tv)

27 Prill 2020, 11:40| Përditesimi: 27 Prill 2020, 15:55

  • Share

TIRANE-Hapja e disa bizneseve dhe taksive pas 47 ditësh karantinë ka shtuar fluksin e lëvizjes në kryeqytet, por edhe qytetet e tjera të vendit. Taksitë lejohen që të punojnë deri në orën 17:30. Gazetari i Report Tv Arsen Rusta bëri sot në Tiranë një vëzhgim sa po i respektojnë rreth 2 mijë taksitë që punojnë në kryeqytet, 19 pikat e vendosura nga qeveria? Në vëzhgimin e disave prej tyre që bëri Report Tv, jo të gjithë i respektonin.

Shërbimi taksi është hapur prej orës 05:00, ku rezulton se ka një ndërgjegjësim të pjesshëm, taksistë që i kanë vendosur dezinfektantët dhe njoftimet e lajmërimeve, por ka edhe nga ata që nuk i respektojnë, që vendosin maskat sapo shohin kamerat. Ata shprehen se nuk kanë pasgjerë dhe prandaj nuk i kanë vendosur maskat dhe dorezat. Por edhe pasagjerë që nuk i vendosin maskat apo xhamin nuk e mbajnë hapur.

Por, taksistët nuk janë të treguar aspak të kujdesshëm edhe me njëri tjetrin, pasi në momentin që presin pasagjerët nuk respektojnë masat e distancimit social duke qëndruar bashkë të gjithë duke biseduar. Por pyetja që lind është se cili institucion i kontrollon taksistët si po i respektojnë masat?


Ora 11:55
Sot dolën nga karantina, taksisti: Nuk ka punë, por të paktën dolëm mirë nga izolimi (VIDEO)

Një taksist i tha Report Tv se masat i kanë marrë por nuk kanë pasagjerë dhe pavarësisht se kanë disa orë që kanë dalë në punë, nuk kanë bërë asnjë rrugë. Ai tha se pagën e luftës ende nuk e kanë marrë.  "Sot kemi dalë në 07:00, akoma nuk e kemi bërë bismila. Asgjë deri tani, shumë biznese nuk punojnë, njerëzit nuk kanë dalë. Dalin me orare, edhe atë orë dalin për pazarin por te taksinë nuk vijnë. Masat i kemi marrë të gjithë, që ti lexojë edhe pasagjeri.

Do të rri deri në 17:30, u futa te e-albania për të kërkuar për të qëndruar më shumë por nuk japin. Në një situatë tjetër deri tani, ora 10:45 do i kishim bërë dy rrugë, por të paktën gëzohem se dolëm nga izolimi dhe jemi mirë. Këtë kohë vetëm brenda. Kemi aplikuar për pagën e luftës, vajta dje në bankë por nuk ka dalë. Na thanë do u lajmërojmë me SMS. U ankuam te ekonomistja jonë, ajo na tha se i kanë takimet në dorë. Rritje çmimi apo ulje? Ajo është me taksimetër, nuk ka as ulje as ngritje, sikur ka qenë është" tha njëri prej tyre.

Ora 11:55
Pse pa maska e doreza? Taksisti për Report TV: S'na duhen, s'e kthen njeri kokën nga ne (VIDEO)

Nga vëzhgimi i Report Tv rezultoi se jo të gjithë taksistët i respektojnë masat. Por përse? "Nuk nevojiten se nuk ka njeri për të hipur, nuk e kthen njeri kokën. Rrimë këtu ruajmë makinat. Të gjitha taksitë xhiro janë kot harxhojnë karburant. Këtë periudhë, pushime, ha, pi, regjim shtrati. Po pagën e luftës? Kur të çlirohet Shqipëria. Masat i kemi marrë po ku janë njerëzit? As lekë asgjë" tha një taksist për Report Tv.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?