Pagat e artistëve të Teatrit Kombëtar, qëndrimi i drejtorisë e ‘kalvari’ i Statusit, Bora: Në ‘Opera’ i rriti Rama, pse ministrja gabon në arsyetim

6 Gusht 2022, 17:59| Përditesimi: 6 Gusht 2022, 18:05

  • Share

TIRANË- Është java e tretë, prej kur disa artistë të Teatrit Kombëtar bënë publike kërkesën e tyre për rritje pagash. Letra drejtuar kryeministrit Edi Rama e ministres së Kulturës Elva Margariti, erdhi  pas rritjes me 47-59 përqind të pagave të artistëve në TKOB. Nuk kemi pasur deri më tani një takim kolektiv me artistët, por në një nga shpjegimet e saj ministrja e Kulturës e lidh rritjen e pagës së artistëve të ‘Operas’ me buxhetin e rikonstruksionit të godinës.

“Ishte kthyer si përgjigje kryetarit të Sindikatës, që në buxhetin e rikonstruksionit të Teatrit të Operas dhe Baletit, zëri i rritjes së pagës së artistëve ishte minimal dhe se kishte qenë diçka e lehtë për t’u bërë. Më duket absurde, një logjikë as matematikore, as njerëzore, as artistike, sepse teatri i ri kombëtar që do të ndërtohet  mund ta ketë buxhetin shumë herë më të lartë se sa buxheti që u përdor për të rikonstruktuar Operan, atëherë i bie që pagat e aktorëve të rriten shumë herë më lart se sa aktorët e Teatrit të Operas. Nuk më duket normale kjo gjë”, thotë regjisori.

Në pritje të një përgjigjeje, deri në fund të gushtit, artistët e dinë se plotësimi i kërkesës së tyre nuk do të jetë i lehtë, edhe për faktin se për kolegët e ‘Operas’, vendimi u mor fillimisht, nga maja e hierarkisë qeverisëse.

“Unë shikoj vërtetë një problematikë në këtë mes. Sepse iniciativa për të ngritur rrogat, nuk ishte një iniciativë as e artistëve vetë, as e drejtorit të Teatrit të Operas së Baletit, as e Ministrisë së Kulturës, por ishte iniciativë e drejtpërdrejtë e kryeministrit. Të gjithë hallkat më poshtë kanë qenë në ‘ngërç’ dhe të papërgatitur për ti dhënë zgjidhjen formale. Dhe e kuptoj që kjo rrugë është shumë herë më e vështirë”, thotë ai.

Në mungesë të mendimit të tyre në letër, Bora tregon nëse në këtë nismë artistët do të kenë mbështetjen e drejtorit të Teatrit Kombëtar Hervin Çulit e Bordit Artistik.

“Padyshim edhe Sindikata në këtë rast quhet partner, si dhe drejtoria e Teatrit Kombëtar. Nuk besoj se këto institucione nuk do të kenë dëshirën për ta mbështetur këtë kërkesë”, thotë më tej.

Në 3 dekada kalvar përpjekjesh, e në mungesë të miratimit të Statusit të Artistit, rritja e pagës është vetëm një prej kërkesave që do t’i bënte ata të barabartë me kolegët jashtë vendit.

“Prej kryetarit të SIndikatës ka përpjekje për ta rihapur çështjen e Statusit në Ministri. Komuniteti i Artistëve ka prej ’90-ës deri më sot ka kaluar një kalvar të gjatë ligjesh, nën ligjesh dhe ç’është e vërteta është fatkeqësi që ne nuk arritëm të përpunonim një edukatë në përpunimin e këtyre dokumenteve”, shprehet Bora.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • gjergji: 07/08/2022 17:04

    Detyra e shtetit eshte te siguroj mjetet e vendin e aktrimit ne kushtet optimale.Pagesat (sic behen ne cdo vend te botes) te kryhen mbi bazen e fitimit e kontibutin tend(te artistit) ne role te ndryshme,gjithenje sipas procedurave bashkore te kontatave. Ne kapitalizem shteti nuk eshte finantrop(sic duan aktoret),ai krijon kushtet e pershtateshme per te kryer aktivitetin tend artistik.Institucionet artistike zakonisht nuk jane buxhetore,se paku ne Angli apo Amerike.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Sipas jush për kë do të votonte diaspora?