‘Pa Gjurmë’ kthen në shtëpi edhe dy të humbur të tjerë (VIDEO)

19 Qershor 2020, 19:43| Përditesimi: 19 Qershor 2020, 19:54

  • Share

Këtë të premte, ‘Pa Gjurmë’ kthen në shtëpi edhe dy të humbur të tjerë. Gëzim Shaholli humbi gjurmët këtë të enjte, ndërsa u gjet ditën e sotme falë shumë telefonatave që mbërritën në redaksinë e emisionit duke lokalizuar vendndodhjen e tij në Tiranë.

Ndërsa një tjetër i humbur, i cili u denoncua live këtë të premte, pasi kishte humbur pasditen e datës 17 qershor u gjet 30 minuta pas apelit të bashkëshortes. Policia e qytetit të Korçës njoftoi familjen se 74-vjeçari ndodhej në spital.

Falë bashkëpunimit të qytetarëve, të cilët sjellin në kohë rekord informacione, gjatë transmetimit sa herë një i humbur denoncohet live, u bë e mundur, së pari gjetja e 33-vjeçarit nga Sukthi, e më pas ajo e të moshuarit nga Korça.

Për Gëzimi Shahollin pak para transmetimit mbërriti një video e një të riu, në kushte të rënduara të shëndetit mendor, i cili pasi u largua nga shtëpia në Sukth, mëngjesin e të martës kishte përfunduar në zonën e 21 Dhjetorit në kryeqytet. Pas shfaqjes së kësaj video, babai i 33-vjecarit konfirmoi se ishte ai djali i tij. Stafi mbërriti menjëherë në vendngjarje ku komunikoi shumë pak me Gëzimin, i cili ka probleme të shëndetit mendor. Ai e dinte se kërkohej nga familja.

’Gëzim Shaholli jam. Kam një ditë këtu në Tiranë. Do ta njoftoj familjen. Do vija në shtëpi por makina nuk vjen. E mora vesh që më kërkon familja’, u shpreh Gëzimi

Gazetari Ermal Qori njoftoi policinë, ndërsa një patrullë e Komisariatit nr 2 mbërriti live, për ta shoqëruar të riun drejt ambienteve, të këtij komisariatit. Më pas u njoftua edhe salla operative e policisë së Durrësit, për të marrë qytetarin nga Sukthi në kthimin e tij drejt banesës.

Ndërsa po këtë të premte u denoncua edhe zhdukja e 74-vjecarit Astrit Viso nga Korça, i cili edhe ai kishte humbur ditën e mërkurë. Për 24 orë me radhë familja kishte arritur të fliste me të moshuarit, por ai nuk ishte në gjendje të tregonte vendndodhjen e tij, pasi vuante nga skleroza. Familjarët humbën komunikimin një ditë pasi ai u zhduk, kur telefoni i tij rezultoi i fikur. Ata ju drejtuan emisionit ’Pa Gjurmë’, kur falë publikimit të rastit u arrit të identifikohej 74-vjecari, personi i cili kishte përfunduar në spitalin rajonal. Lajmin e gjetjes së të atit, pak minuta pas denoncimit e dha djali i tij.

’Babin e gjetëm. Na njoftoi policia se Babi ndodhej në spital. Nuk e dimë se si kishte përfunduar aty. Por ne nuk lamë vend pa e kërkuar. Jam në spital, por ende nuk kam informacion, pasi na njoftuan sapo e panë rastin tek emisioni’, tha djali.

VIDEO/ Emisioni i plotë

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?