Përvjetori, toena 20 vjet botime
ekspozohen në një sallon libri

20 Prill 2013, 02:50| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Në kuadër të 20-vjetorit të themelimit shtëpia botuese "TOENA" organizon “Sallonin e librit", ku do të ekspozohen të gjithë titujt që ka botuar ndër vite. Çdo ditë, në Muzuen Historik Kombëtar, çdo kush mund të blejë librin që dëshiron me autografin e autorit të preferuar.

Deri në datën 21 prill, mund të kontaktohen kohë pas kohe me autorët apo përkthyes si: Alfred Moisiu, Arben Puto, Artan Lame, Besnik Mustafaj, Dhimitër Anagnosti, Diana Çuli, Fatos Kongoli, Flutura Açka, Moikom Zeqo, Nasi Lera, Paskal Milo, Pëllumb Xhufi, Petrit Ruka, Preç Zogaj, Teodor Laço, Valdete Andoni, Viktor Canosinaj, Vojsava Nelo, Ylljet Aliçka, Zija Çela, etj.

Shtëpia Botuese "TOENA" e ka filluar veprimtarinë e saj në janar të vitit 1993 me tre punonjës. Në organikën e saj sot përfshihen mbi 30 punonjës, si dhe një rreth i gjerë bashkëpunëtorësh (mbi 100) nga të gjitha fushat e kulturës, arsimit dhe shkencës shqiptare.

Që nga dita e krijimit të saj ajo ka botuar rreth 24 00 tituj nga studiuesit më në zë të institucioneve shkencore dhe universitare, libra informativë, botime nga historia dhe traditat kombëtare, metoda për mësimin e gjuhëve të huaja, fjalorë të shumëllojshëm, manualë për specialistët dhe profesionistët, letërsi artistike nga autorë shqiptarë dhe të huaj, si dhe albume e harta të ndryshme.

Që nga dita e krijimit të saj, "Toena" merr pjesë rregullisht në shumë panaire ndërkombëtare të librit, si në Frankfurt, Gjenevë, Bolonjë, Torino, Paris, Bruksel, Goteborg, Selanik, Sofje, Shkup etj., duke bërë kështu promovimin e autorëve shqiptarë në botë, si dhe shpërndarjen e veprave të tyre kudo që ka shqiptarë.

Që nga viti 2007 Shtëpia Botuese “Toena” funksionon si një Institut i Librit dhe i Promocionit, duke i dhënë përparësi promovimit të librit shqip kudo që ka shqiptarë në botë. Bordi themelues i këtij instituti përbëhet nga personalitete të njohur të letrave shqipe si: Jorgo Bulo (kryetar), Rexhep Qosja, Fatos Kongoli, Piro Misha, si dhe drejtorja e përgjithshme, Irena Toçi. Aktualisht Shtëpia Botuese "Toena" boton mbi 150 botime të reja në vit, dmth në çdo 2 ditë një libër i ri.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 20.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?