Përfundon “Giffoni" 8, jepet
çmimi "Xhanfise Keko"

26 Tetor 2012, 21:12| Përditesimi:

  • Share
Pas rrugëtimit në Durrës dhe Shkodër, edicioni i tetë i “Giffoni Shqipëria” është mbyllur në Tiranë me një ceremoni çmimesh. Në ndryshim nga vitet e shkuara, ku përmbyllja e festivalit është bërë përmes një mbrëmje gala në Teatrin e Operës, sivjet çmimet janë ndarë në sallën e kinema “Millenium”. Drejtori i festivalit, Namik Ajazi bëri të ditur se Çmimi special që mban emrin e regjisores së njohur për fëmijë “Xhanfise Kekos” i ka shkuar Elisabeta Kamberit, për shumë vite shefe e departamentit për fëmijë dhe të rinj në Radio Televizionin Shqiptar, tashmë e shkëputur nga profesioni i saj. “Njëlloj si ish-Kinostudio, Televizioni Shqiptar ka punuar për të mundësuar përhapjen e kulturës kryesisht për fëmijë dhe këtë çmim ia dorëzojmë zonjës Elisabeta Kamberi për kontributin e saj”, ka thënë Ajazi. Në fjalën e saj, Kamberi e quajti një surprizë këtë çmim dhe iu drejtua të rinjve duke theksuar se ata janë me fat që sot kanë mundësinë të jenë kaq pranë kinemasë. “Ky çmim ishte një surprizë e këndshme për mua, vërtet nuk e prisja, jeni me shumë fat që keni dhe mundësi të tilla që e kaloni kohën me kinemanë dhe me filmat më të mirë të moshës suaj, kjo falë edhe punës së palodhur të Namik Ajazit që e do shumë punën dhe fëmijët”, është shprehur Elisabeta Kamberi.

Ceremonia ka vazhduar me ndarjen e çmimeve për filmat më të mirë që u shfaqën në këtë edicion të tetë: tre filma për gjeneratën +13 dhe 3 filma për gjenratën + 16. Të rinjtë dhe fëmijët që kanë votuar në Durrës, Shkodër, Tiranë, përfshirë dhe jurinë ndërkombëtare, kanë zgjedhur si filmin më të mirë për gjeneratën + 13, “Cool kids don’t cry” (Fëmijët e klasës së tetë nuk qajnë), një prodhim belgo-hollandez me regji të Dennis Bots. Nga 820 anëtarët e jurisë ky film ka marrë 700 vota, një ndër filmat më të votuar të këtyre edicioneve. Protagoniste është Aki, një vajzë 12 vjeçare plot energji, e çmendur pas futbollit, cila zbulon se vuan nga leuçemia. Në të treja qytetet ku u shfaq ky film i ka prekur shumë të rinjtë. Pavarësisht sëmundjes, me ndihmën e shokëve të klasës, Aki nuk i humb asnjëherë shpresat, gëzon me ta kampionatin e futbollit, edhe pse në fund nuk arrin t’i bëjë ballë sëmundjes. Një film që u foli të rinjve se çdo çast i jetës duhet jetuar, edhe në situata të tilla. Gjenerata +16 votuan si filmin më të mirë “Lol”, një realizim amerikan i regjisores franceze Lisa Azuelos që vë në qendër raportet e një adoleshenteje, Lolës, një vajzë çapkëne dhe rebele me të ëmën e saj, duke sjellë në fokus problematikat e marrëdhënieve mes brezave. Dashuria e parë e Lolës dhe dëshira e nënës së saj për të gjetur vetveten sjellin konflikt mes tyre. Protagonistë në këtë film janë dy aktorë të njohur, Demi Moore dhe Miley Cyrus(i njohur për Hanna Montona). Në muajin korrik, një grup të rinj shqiptar do të udhëtojnë për të qenë pjesë e jurisë ndërkombëtare të “Giffoni Film Festival” në Itali.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?