Përfundon afati për anëtarë Këshilli 
Guvernatori i BSH, deri me 5 Teto

1 Tetor 2014, 08:11| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Përfundoi afati i përcaktuar nga kryeministri Edi Rama për aplikime për postin e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. 30 shtatori ishte dita e fundit për paraqitjen e kërkesave, ndërkohë që vijojnë ende aplikimet për guvernator, proces ky i shpallur nga presidenti i Republikës, i vlefshëm deri në datën 5 tetor. Deri dje, nuk dihej ende se sa persona janë paraqitur si kandidatë. Vendet vakante në organin drejtues të Bankës qendrore janë krijuar pas shkarkimit të Ardian Fullanit nga Këshilli dhe posti i guvernatorit, dorëheqjes së paraqitur nga Ardian Civici, ndërkohë që duhet të plotësohen edhe vendet e mbetura vakant që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur përfundoi mandati i dy anëtarëve të tjerë. Nga ana tjetër, duhet të plotësohet, sipas ligjit, edhe posti i zëvendësguvernatorit të dytë, që Fullani e kishte lënë bosh, për çka atij i është shtuar një pikë e veçantë në padinë që po i ngre Prokuroria.

Por, mendohet se tashnë duhet të jetë hapur rruga edhe për zëvendësimin e Petraq Milos, i cili sapo u zgjodh anëtar i Këshillit drejtues të Partisë Demokratike, duke u angazhuar në një post partiak, çka përjashtohet kategorikisht nga ligji për Bankën e Shqipërisë për pozicionin e anëtarëit të Këshillit Mbikëqyrës të BSH.  

Duke qenë se presidenti do të propozojë në Kuvend emrin e guvernatorit, që duhet të miratohet nga mazhoranca, nga institucionet kërkohet që të arrijnë në kompromis paraprak, për të zgjidhur ngërçin e krijuar në Bankën e Shqipërisë.
 

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?