Për herë të parë 'Kronikë në Dropull'
u çel me ekspozitën e Michel Setboun

9 Gusht 2016, 13:26| Përditesimi:

  • Share
Për herë të parë zhvillohet në Dropull në datat 7 gusht – 20 gusht projekti kulturor “Kronikë në Dropull”, i cili sjell një frymë të re nga ajo e projekteve dhe aktiviteteve kulturore që zhvillohen çdo vit në këtë krahinë. Ky projekt i ndërmarrë nga Connext dhe Eleana Zhako u radhit në listën e projekteve fituese të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë pas Thirrjes për Projekte Kulturore 2016 të MK, në nëntor të vitit të kaluar.

Seria e aktivitetete kulturore filloi në 7 gusht në fshatin Devician të Dropullit të poshtëm, fshatit më të afërt të minoritetit grek me qytetin e Gjirokastrës, në një afërsi gjeografike rreth 5 km. Aktivtiteti i datës 7 gusht, i cili  përbën dhe aktivitetin qendror të projektit startoi me çeljen e ekspozitës fotografike të fotografit të njohur francez Michel Setboun me prezencën e vetë fotografit në Qendrën e Kulturës së Dervicianit në orën 19:00. Pjesëmarrja ishte e lartë.

Michel Setboun është fotograf i mirënjohur francez, i cili ka punuar për revista të njohura ndërkombëtare, si : “Geo”, “Figaro Magazine”, “New York Times”, “Life”, “Paris Match”, “Stern”. Francez i lindur në Algjeri më 27 gusht 1952, fillloi karrierën si arkitekt dhe vazhdoi më pas si fotograf.  Filloi të punojë si fotograf në vitin 1978 duke mbuluar konflikte ndërkombëtare për agjencinë SIPA, si Revolucionin në Iran, Luftën për Pavarësi në Angola, Afganistan, Luftën Iran-Irak dhe me vone luftën civile në Liban.

 Ai është plagosur në El Salvador gjatë luftës civile. Nga viti 1983 deri më 1985, ai punoi për agjencinë e “Black Star France” në  Indi, Afganistan dhe Suedi. Ndersa në periudhën kohore 1985-1991, ai mbulon reportazhet per Korenë e Jugut, Shqipërine, Mongolinë dhe Rion për agjencinë RAPHO.

Që nga viti 1991 punon si fotograf i pavarur. Ka udhëtuar në më shumë se 130 vende. Ka marë çmimin e parë në World Press për reportazhin e tij për dy milionë refugjatët e dëbuar në Nigeri. Setboun është gjithashtu autor i librave të shumtë.

fotografi

 Banor të zonës të cilën rendën për të parë nga afër historikun e rrënjëve te tyre, por edhe personalitete si Fortlumturia e Tij Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Prof. Dr. Anastas Janullatos,   Mitropoliti Amandis, konsulli grek i Gjirokastrës  z.Vaseilios Tolios, deputeti z. Vangjel Tavo, deputeti z. Vangjel Dule, kryebashkiaku i zonës z. Arqile Deçka dhe titullar të shumtë të pushtetit qëndror, Kryetari i Përgjithshëm i Omonia  z. Leonidha Papa etj.

Michel Setboun ka vizituar disa herë Shqipërinë në fillim të viteve ’80 dhe pas rënies së komunizmit, duke nxjerrë një seri fotografish të jashtëzakonshme nga skaji më verior deri në skajin më jugor të Shqipërisë. Setboun është fotografi i huaj më i njohur që ka fiksuar me objektivin e vet realitetin shqiptar sa asnjë fotograf tjtër i huaj, madje duke një galeri kaq të pasur fotosh nga Shqipëria në aspektin gjeografik, politik, social dhe fetar.

Setboun është ndër të paktët fotografë ndërkombëtarë i akredituar nga agjensitë fotografike ndërkombëtare si fotograf ekskluziv për Shqipërinë.  Setboun nuk është thjesht fotograf, por fotograf- reporter me reportazhe analitike dhe fotografike të pafundme nga gjithë bota.

Ekspozita “Kronikë në Dropull” përmban një seri të pasur fotografish të Setboun nga krahina e Dropullit dhe nga qyteti i Gjirokastrës gjatë periudhës së komunizmit dhe më pas. Një vend të veçantë zënë fotografitë nga kishat e rrënuara të Dropullit dhe nga periudha e  rihapjes së tyre. Sikurse shkruan dhe kuratori i ekspozitës, piktori Toni Milaqi:  
 
“Duke folur për kujtesën në ekspozitën në fjalë, bëhemi dëshmitarë të një ngjarjeje mjaft të veçantë: të hapjes së kishave, të rikthimit të një prej të drejtave më themeltare siç është ajo e besimit në territorin e Shqipërisë paskomuniste. Shohim përmes gjurmëve fotografike egërsine totalitariste me të cilën diktatura komuniste zgjodhi të veprojë mbi çështjen e besimit, e kujtesës fetare, e relacioneve kulturore/artistike të cilat gjendeshin tek thesaret e rralla spirituale që dispononin kishat dhe manastiret ortodokse te Shqiperise.
Gërmadha kudo, ikona të izoluara shenjtorësh që u kapërthyen rreth gurëve për t’i rezistuar dimrit të pafund të një periudhe të errët. Një pule parakalon para nesh, pikërisht në çastin kur aparati fotografik përpiqet të regjistrojë hendekun e katastrofës. Shenjtorë të heshtur, me sy të çjerrur, të cilët bëhen dëshmitarë të një përdhosjeje mjerane.
Shohim tek imazhet historike të Setboun besimtarë që rikthehen sërish në kishat e prindërve/paraardhësve. Vërejmë në sytë e tyre agoninë dhe respektin, pendesën dhe shpresën. Duke i studiuar më mirë, vë re se i përkasin kryesisht dy kategorive njerëzore: të moshuarve dhe fëmijëve . Me një gjuhë sharmante simbolike fotografi na flet për brezin që e kishte brenda tij besimin, që rrojti paranojën fetare të rregjimit komunist shqiptar dhe që arriti të mbijetojë paskëtaj. Kurse grupi i dytë janë fëmijët e vegjël, vazhdimësia e kësaj bote, shpresa për një të ardhme dritëpraruar. Kështu ecën njerëzimi, kështu na e rrëfen historinë edhe vetë Setboun”.
 
Përveç ekspozitës së fotografit Michel Setboun e cila zhvillohet nga data 7 gusht deri në 20 gusht në Dervician, projekti përmban edhe aktivitete të tjera të rëndësishme si: seminare pikture me fëmijë në datën 8 gusht në Dervician nga piktori Toni Milaqi në orën 18:00 në qendër të fshatit si dhe prezantim libri të shkrimtarit Telemak Koça në datën 12 gusht në Qendrën Kulturore të Dervicianit në orën 18:30. Telemak Koça është shkrimtari minoritar më i njohur në Greqi më një krijimtari të pasur letrare në të dyja gjuhët, shqip edhe greqisht. Ai është nderuar në në Greqi me Çmimin “Athens Prize Literature 2014” për librin e tij “Kodi i Nderit” që prek çështjen e gjakmarrjes në Shqipëri e njihet gjithashtu si ndër përkthyesit më të mirë të veprave të Kadaresë në greqisht.
 
Përveç aktiviteteve të mësipërme në fshatin Dervician, projekti është fokusuar edhe në dy aktivitete shumë të rëndësishme në fshatin Koshovicë të Dropullit të Sipërm, që njihet për peizazhet panoramike të fshatrave të saj dhe historinë e ndarjes së të njëjtit fshatit në territorin grek dhe atë shqiptar. Në datën 10 gusht, ora 18:00 do zhvillohet në Koshovicë prezantim libri i shkrimtarit grek Sotris Dimitriu nga shkrimtari dhe përkthyesi i njohur shqiptar Romeo Çollaku, me praninë e vetë shkrimtarit. Prezantimi do shoqërohet paralelisht me tekste folklorike greke dhe shqiptare që përfshihen në librin e Dimitriut, nën tingujt e klarinetës nga banda muzikore e zonës së Gjirokastrës.
 
Gjithashtu, të njëjtën ditë në Koshovicë dhe ditën e nesërme do ketë Kinema nën Yje dhe do shfaqet filmi i regjizorit Sotiris Goricas “Nga Dëbora” i cili bazohet në librin e shkrimtarit Dimitriu “Të dëgjofsha zënë e mirë” botuar nga Toena dhe në përkthim të Romeo Çollaku. Libri lidhet me Shqipërinë dhe rrëfen për dramën dhe peripecitë e një vajze të re greke që pas mbylljes së kufirit greko-shqiptar u gjend në Shqipëri dhe nuk mundi të largohej. Ndërsa në datën 13 gusht do zhvillohet një guidë turistike në Koshovicë dhe në fshatrat përreth të Dropullit të Sipërm.        

dropull

dropull

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com


 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?