P/buxheti 2015, Presidentit i ulen
shpenzimet, por rroga i lihet njësoj

5 Nëntor 2014, 08:19| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Presidenti i Republikës do të vijojë të paguhet nga Buxheti i Shtetit me të njejtën pagë si deri tani, edhe në 2015-ën: 257 mijë lekë në muaj. Por shpenzimet për institucionin e Presidencës qeveria mendon t’i ulë, nga 183 milionë sivjet, në 176 milionë vitin e ardhshëm. Sipas tabelave të projektbuxhetit 2015, me të cilat do të njihen sot kryetarët e grupeve parlamentare, shpenzimet për Kuvendin nuk do të kenë ndryshim, ndërkohë që qeveria është treguar shumë më bujare për selinë e vet. Shpenzimet e Kryeministrisë parashikohet të shkojnë nga 527 milionë, në 1.1 miliardë lekë të reja.

Rekordin ndër institucionet qeveritare dhe të pavarura edhe këtë vit e mban Ministria e Mirëqenies Sociale, me një buxhet prej 76 miliardë lekësh, nga 73 miliardë vitin e kaluar. Kjo shifër është shumë më e lartë se sa fondi i akorduar për Transportet (40 miliardë) apo Energjetikën (2.6 miliardë). Megjithatë, të dy këto dikastere kanë gjithashtu rritje fondesh buxhetore.

Bujqësia, Kultura, Mjedisi, Ministria e Brendshme, Shëndetësia, janë ndër dikasteret qe përfitojnë rritje fondesh, ndërkohë që me ulje krahasuar me këtë vit janë fondet për Drejtësinë, Zhvillimin Urban e Turizmin, etj. Ndër institucionet e pavarura, sistemi gjyqësor duket se nuk ka ndryshim fondesh nga ky vit, po ashtu si dhe Shërbimi Informativ. Por rritje do të ketë Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive.

Rritje i ndjeshme fondesh është akorduar në projektbuxhet për Ministrinë e Integrimit. Ndonëse qeveria shqiptare është e angazhuar të rritë shpenzimet për Mbrojtjen, kërkesë e NATO0s, fondi për ministrinë e drejtuar nga Kodheli vitin e ardhshëm ulet nga 14 miliardë në 12.7 miliardë lekë. Ndërsa parashikohet paradoksalisht të ulen fondet për emergjencat civile, ndërkohë që rriten ato për Gardën e Republikës, apo Policinë e Shtetit.

Shpenzimet për institucionet buxhetore janë në rritje, pavarësisht nga fakti se Prodhimi i Brendshëm Bruto parashikohet të jetë më i  vogël se ai që mendohej në fillim të 2014-ës, duke kaluar nga 1.500 miliardë lekë, në 1.400 miliardë lekë.

*Shkrimi u botua ne Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?