Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Kosova & Rajoni

Osmani: Serbia vazhdon të ndjekë mentalitetin e Millosheviçit, po abuzon me dialogun

8 Nëntor 2021, 21:51| Përditesimi: 8 Nëntor 2021, 21:54

  • Share

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se Serbia vazhdon të ndjekë politikat e vjetra të Slobodan Milosheviçit, duke u shndërruar në vegël të Rusisë për të destabilizuar Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Osmani mori pjesë në një aktivitet të zhvilluar mbi një fjalim për të ardhmen e Kosovës në Institutin e Politikës së Jashtme (FPI) në kuadër të Shkollës së Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare John Hopkins, në Nju Jork. Sipas Osmanit, qeveria serbe po abuzon me dialogun me Kosovën.

“Regjimi në Serbi vazhdon të ndjekë të njëjtin mentalitet, por me strategji të tjera, me një mentalitet që po përpiqet të vendosë të ashtuquajturën bota e madhe serbe. Kosova i përket një rajoni mjaft sfidues ku Rusia ka interesa specifike dhe interesi i tyre nuk është vetëm destabilizimi i Kosovës, por për shkak se Ballkani Perëndimor është një rajon ku ata dëshirojnë të zhbëjnë çdo gjë amerikane, çdo gjë që SHBA ka arritur në dy-tri dekadat e fundit, të cilat janë stabiliteti dhe demokracia. Kosova është historia më e madhe e suksesshme në politikën e jashtme amerikane dhe Rusia duke sulmuar pjesën tonë të botës, po përçon mesazhin te SHBA se do të sulmojë vlerat për të cilat SHBA dhe vendet evropiane kanë qëndruar prapa tyre në vitet 1999 kur ato shpëtuan jetët tona. Rusia ka gjetur trampolinën për ndikimin e saj dhe kjo është Qeveria e Serbisë, e cila vazhdon të destabilizojë Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën”, u shpreh Osmani.

Edward Joseph, profesor i Universitetit Johns Hopkins, njëherësh njohës i çështjeve të Ballkanit, i cili ka drejtuar diskutimin, ka thënë se niveli i demokracisë në Kosovë është për t’u lavdëruar.

“Kosova duhet të pranohet për demokracinë, miqësinë me Shtetet e Bashkuara dhe orientimin pro-perëndimor”, ka thënë ai.

Osmani ka folur edhe për përpjekjet e autoriteteve të Kosovës për luftim të korrupsionit dhe për reformat në sistemin e drejtësisë.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni mesazhet që dha Rama në takimin me diasporën në Athinë?