Foto nga koncerti

Orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu' sjell urimet për festat e fundvitit me artistë të njohur dhe të rinj

9 Dhjetor 2021, 07:15| Përditesimi: 9 Dhjetor 2021, 07:27

  • Share

Orkestra e harqeve “Aleksandër Moisiu” uroi mbrëmjen e kaluar artdashësit durrsakë me një koncert të përgatitur enkas për festat e fundvitit.

Dirigjenti Petrika Afezolli, i cili bashkë me veprat në program prezantoi edhe artistët e ftuar, drejtoi më pas orkestrën e njohur në nëntë veprat e përzgjedhura të koncertit.

Soprano e mirënjohur e Teatrit të Operas, Eva Golemi u duartrokit gjatë nga spektatorët që mbushën sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Këngëtarja lirike u paraqit me ariet “O mio babbino caro” nga G. Puccini, “Summertime” nga G. Gershwin dhe “La Wally” nga A. Catalani.

Artistja me përvojë u përcolli dëgjuesve emocionet e veçanta të secilës prej pjesëve të përzgjedhura nga autorë të periudhave të ndryshme.

Për herë të parë në një skenë koncertale u ngjit edhe Kuinteti i Frymës së nxënësve të shkollës së mesme “Jan Kukuzeli”, përgatitur nga pedagogu Pirro Sota.

Artistët e rinj Tivari, KuriçI dhe O. {yrbja në sxofon dhe Shani e M. {yrbja në fagot sollën në sallë mjaft gjallëri me interpretimin e kolazhit “Ritme Latine” të orkestruara nga pedagogu Moni Kuriçi.

Orkestra me 17 komponentë e dirigjentit Afezolli në këtë koncert kishte përfshirë në formacion së bashku me pedagogë dhe nxënës të moshave të ndryshme edhe studentin-pianist Erli Lila.

Në programin e përgatitur për festat e fundvitit veç veprave nga literatura e huaj muzikore u vlerësua veçanërisht “Valsi” i kompozitorit durrsak Haig Zacharian, mjaft i njohur edhe si autor i kolonave muzikore në më shumë se 25 filmave artistikë shqiptarë.

“Zërat pranverorë” nga J. Shtraus dhe “Vals nr 2” nga D. Shostakovich ishin pjesë e buqetës muzikore të urimeve të orkestrës së harqeve “Moisiu”, e cila e mbylli programin koncertal me interpretimin premierë të veprës “Patinatorët” nga E. Waldteufel.

Pjesëmarrëse dhe fituese në konkurrime të ndryshme në shkallë kombëtare orkestra me shumë përvojë e dirigjentit Petrika Afezolli vjen përballë shikuesve të shumtë në çdo stinë koncertore.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?