Orgjosti fshati i izoluar në kufirin Shqipëri-Kosovë, banorët ecin malit me mushka, s’ka rrugë për makina! Thirrje dy Qeverive: Na shtroni 1 km asfalt!

13 Maj, 13:38| Përditesimi: 13 Maj, 14:26

  • Share

Në ekstremin lindor të kufirit Shqipëri-Kosovë, shtrihet Orgjosti një fshat me 900 banorë të komunitetit goran, pjesë e njësise administrative Zapod, Bashkia e Kukësit.

Prej dekadash banorët jetojnë në izolim, pasi rruga automobilistike 6.5 km që e lidh Orgjostin me Kukësin është e pa asfaltuar dhe kalohet vetëm me fuoristradë.

Më shumë se sa me Kukësin, marrëdheniet tregtare e familjare banorët e Orgjostit i kanë me komunën e Dragashit në Kosovë. As atje nuk mund të mbërrijnë me makinë, vetem me këmbë.  Prej vitit 2002 është hapur pika e kalimit kufitar Orgjost – Orqushë, e cila siç shihet në pamje i ngjan një magazine.

Pasi kalojnë këtë pikë kufitare, banorët duhet të ecin një kilometer në këmbë përmes këtij shtegu të ngushtë. Kryeplaku i fshati Avni Ferhati thotë se transportin e materialeve e bëjnë me kafshë, ndërsa gjatë dimrit rruga bllokohet.

“Ne s’duam asgjë tjeter veç 800 metra rrugë që të hapet!  Ne (banorët) i transportojmë materialet në krah ose me kafshë. Nuk e di se kush po e zvarrit. Ne kërkojmë nga Kosova dhe Shqipëria të hapë rrugën”, tha Avni Ferataj kryeplak i fshatit.

Nepermjet mikrofonit të “Report tv” banorët kërkojnë nga dy qeveritë e Shqipërisë e Kosovës të bashkëpunojnë për hapjen dhe asfaltimin e rrugës 1 km që lidh Orgjostin e Zapodit me Orqushën e Dragashit.

“Ne bëjmë 20 minuta me këmbë gjatë veres se në dimër bëhet e pakalueshme. Pala kosovare po e zvarrit hapjen e rrugës. Ne kemi bërë kërkesë zyrtare në komunën e Dragashit dhe s’kemi marrë përgjigje. Të gjitha mallrat ushqimore i blejne në Dragash, i sjellim me makinë deri në Orqushë, aty lëmë makinat dhe më pas i marrim ushqimet në krah e i sjellim në fshatin tonë", tha Beqir Hoxha mësues i fshatit.

Pika e Kalimit Kufitar Orgjost – Orqushë si dhe rruga janë të domosdoshme për këta banorë, në dy anët e kufirit që kanë lidhje familjare dhe etnike me njëri-tjetrin.

R.D//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?