QSUT

Organizatat e shoqërisë civile kërkesë Kuvendit: Të ofrohet shërbimi 'in vitro' në spitale shtetërore! Çiftet privohen nga mundësia për të pasur fëmijë

21 Janar 2023, 20:39| Përditesimi: 21 Janar 2023, 20:53

  • Share

Organizatat e shoqërisë civile i kanë bërë kërkesë Kuvendit që të mundësojnë shërbimin e riprodhimit ‘In Vitro’ në spitalet shtetërore.

6 organizatat që kanë në fokus të punës së tyre mbrojtjen e të të drejtave të njeriut, veçanërisht të pacientëve, nismëtare e të cilave është Komiteti Shqiptar i Helsinkit, nënshkruan peticionin që i drejtuan Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla.

Peticioni erdhi pas studimit të fekondimit in-vitro, i cili në vendin tonë ofrohet vetëm në spitalet private. Organizatat konstatojnë se ndonëse kanë kaluar dy dekada nga miratimi i tij, në strukturat spitalore shtetërore ende nuk ofrohen metodat e riprodhimit të asistuar, si mjet për korrigjimin e fertilitetit.

"Në dërgimin e këtij peticioni, marrim shkas nga një sërë kërkesë/ankesash për mos ofrimin nga strukturat spitalore shtetërore të procedurave të riprodhimit të asistuar (si fertilizimi in vitro, inseminimi artificial, transferimi i embrioneve, apo teknika te tjera që lejojnë riprodhimin jashtë procesit natyror), si dhe të mos aksesimit, për shkak të pamundësive ekonomike, të shërbimeve të ofruara nga klinikat apo spitalet private, duke privuar kështu një sërë qytetarësh (individë/çifte) nga mundësia për të pasur fëmijë.

Prej më shumë se dy dekadash Shqipëria, ka miratuar ligjin në fuqi Nr.8876, datë 4.4.2002 “Për shëndetin riprodhues”. Qëllimi i ligjit është rregullimi i veprimtarive që zhvillohen në fushën e shëndetit riprodhues, me synim mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave riprodhuese të individit në përputhje me politikat kombëtare e me parimet e njohura ndërkombëtare. Ky ligj njeh si shërbim të ofruar nga shteti, në kuadër të garantimit të kujdesit për shëndetin riprodhues, kurimin e sterilitetit nëpërmjet aplikimit të teknikave të riprodhimit të asistuar. Në ligj parashikohet që këto shërbime do të ofrohen në klinika publike dhe private të specializuara dhe të licencuara në të tria nivelet e kujdesit shëndetësor.

Vërejmë se masat institucionale të ndërmarra deri më tani nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për ofrimin e metodave të riprodhimit të asistuar, kanë qenë të pjesshme, pa mundur të garantojnë këtë të drejtë për nënat apo prindërit që janë në pamundësi ekonomike”, shkruhet në peticionin drejtuar Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Shteti nuk ka një bazë të dhënash mbi regjistrimin dhe raportimin e shkaqeve të infertilitetit, apo numrit të personave që i nënshtrohen teknikave të riprodhimit të asistuar, çdo vit.

Sipas organizatave të shoqërisë civile, në strukturat dhe laboratoret që kryejnë ekzaminimet hormonale apo gjenetike, mungon çertifikimi sipas standardeve ndërkombëtare, si dhe mungojnë protokolle të unifikuara lidhur me trajtimin konservativ të infertilitetit bashkëshortor. Kjo bën që, përveçse jo të aksesueshme nga të gjithë, shërbimet e ofruara në strukturat private, të mos ofrojnë siguri lidhur me cilësinë e trajtimit të rasteve të infertilitetit.

Në këto kushte, organizatat që kanë nënshkruar peticionin kërkojnë angazhimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë në katër drejtime që lidhen me këtë problem.

Së pari, ato kërkojnë zhvillimin e një seancë dëgjimore me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me qëllim raportimin nga kjo e fundit të arsyeve dhe pengesave për mos ofrimin nga strukturat shtetërore spitalore të teknikave të riprodhimit të asistuar, si dhe masat e parashikuara për t’u ndërmarrë në funksion të kësaj çështjeje.

Së dyti, në funksion të kontrollit parlamentar për zbatimin e legjislacionit në fuqi, kërkojnë që vetë Kuvendi t’i kërkojë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, krijimin e një baze të dhënash me numrin e çifteve që i janë nënshtruar teknikave të riprodhimit të asistuar; përmirësimin e kuadrit rregullator mbi aplikimin e teknikave të riprodhimit të asistuar, duke pasur në konsideratë legjislacionet e vendeve evropiane, si dhe miratimin e protokolleve kombëtare mjekësore të unifikuara për të gjitha klinikat.

Kuvendi mund të kontribuojë në rritjen e buxhetit për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, me qëllim mbulimin e kostove për procedurat e riprodhimit të asistuar, duke garantuar pakësimin e pabarazive në akses për trajtim të sigurt dhe efektiv të infertilitetit", thuhet në peticion.

Komento

Komente

  • Aaaaa: 21/01/2023 21:52

    Po ik ore shoqata alternative. Shteti duhet t’i ndaloje me ligj keto gjera artificiale, jo t’i paguaje! Vetem ciftet e martuar burre-grua ne moshe te re psh. nen 30, te shendetshem, duhet te bejne femije sipas ligjit natyror. Te tjerat jane budallalliqe.

    Përgjigju
    • Tahipi: 22/01/2023 08:46

      Po nari po, smund te privohet asnje cift te behet prinder. Eshte kerkese e ligjshme qe ky trajtim te ofrohet edhe ne shtet pasi pjesa me e madhe e cifteve skane mundesi ekonomike ta perballojne kete lloj trajtimi. Nuk ka krim me te madh sesa rrenimi i sistemit shendetesor dhe arsimor shtetror.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?