'Ordesa', romani që spanjolli i njohur shkroi pas vdekjes së prindërve! Vilas në Tiranë: Tek nëna e babai im do gjeni tuajët

3 Korrik 2023, 18:04| Përditesimi: 4 Korrik 2023, 12:44

  • Share

Peizazhi i malit “Ordesa”, ku udhëtonin në fëmijëri kish mahnitur babain e tij. Është një prej kujtimeve që shkrimtari Manuel Vilas hedh në romanin autobiografik që mban të njëjtin titull... Një rrugëtim shpirtëror, që zë fill pas vdekjes së prindërve të tij, mbushur me dhimbje, nostalgji, humor e mbi të gjitha dashurinë e pakushtëzuar të prindërve që autori spanjoll rrëfeu këtë fillmjavë në Qendrën për Hapje e Dialog.

“Sigurisht në të shkruarit këtë libër ka dhimbje sepse prindërit e tu nuk jetojnë më, por ka gjithashtu edhe gëzim, sepse ata rikthehen në jetë përmes fjalës së shkruar”, tregon shkrimtari Manuel Vilas.

Nuk është e lehtë siç thotë Vilas të shkruash për jetën personale, e megjithatë historia e tij nuk është qëllimi, por mjeti që bijtë të ndërgjegjësohen për dashurinë e pafund të prindërve, para se trupat e tyre të fiken...

“Unë, historia ime s’ka rëndësi, por lexuesin mendoj se e ndihmon. Dhe ky libër është që lexuesi të shikojë nënën dhe babain e tij, atje ku shfaqen nëna dhe babai im”, u shpreh autori.

Pas botimit në 2018-ën, nuk i është rikthyer librit për ta rilexuar. Kështu e shmang edhe mendimin për ndryshime, ndonëse siç thotë as shkrimtari nuk mund të tregojë çdo gjë mbi jetën e tij. Pjesë e rrëfimit janë edhe divorci e fëmijët e tij...

“Fëmijët kanë lexuar vetëm fragmente. Ende nuk e ndiejnë veten të afërt me librin. Duhet të kalojë kohë. Sepse një vajzë dhe një djalë rreth të 20-ve nuk i shikojnë prindërit si interesantë, por si individë që i ndihmojnë të rregullojnë shumë gjëra në jetë. Ka një novelë pasuese me këtë që quhet ‘Allegria’ që shpresoj të përkthehet në shqip, ku unë tregoj momentin që unë jam babai dhe flas me fëmijët e mi”, tha ai.

Libri është përkthyer në 22 gjuhë të botës, ndërsa në shqip vjen nga Albana Murraj.

“Lexuesit e identifikojnë veten shpejt sepse është një familje normale e shtresës së mesme. Dhe 90 për qind e botës janë të tillë”, shtoi më tej.

Lexuesit për Vilas janë vetë letërsia  ndaj thotë se e emocionoi ky takim në Tiranë.

“Më ka mahnitur Shqipëria! Madje mund të them, se të gjithë ne që jemi pjesë e Mesdheut duket sikur kemi një vëllazëri të fshehtë”, rrëfeu shkrimtari.

Takimi me shkrimtarin, u mbajt në kuadër të Javëve Kulturore dhe me praninë e vetë ambasadorit Alvaro Renedo Zalba, i cili krahas spektaklit deri në 7 korrik premtoi mbështetje të Shqipërisë në procesin e integrimit në BE.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?