Opozita parlamentare letër Ramës: Eja ulu me ne brenda 48 orëve për dy kushtet ose bojkotojmë seancën kur të votohet 'Zgjedhorja'

8 Qershor 2020, 15:18| Përditesimi: 10 Qershor 2020, 11:36

  • Share

TIRANE-Opozita parlamentare i kërkon shumicës socialiste që të ulen në një tryezë dhe të diskutojnë për reformën zgjedhore dhe dy kushtet e tyre, depolitizimin e administratës zgjedhore dhe listat e hapura, në të kundërt nuk do ta votojnë në Kuvend, madje as nuk do të futen në seancë ditën që do të votohet për të shmangur kështu rrjedhjet e mundshme. Në letrën, drejtuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryeministrit Edi Rama, tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës, Myslim Murrizi, Nimet Musai dhe Edmond Stojku kërkojnë që tryeza të zhvillohet brenda 48 orëve. Opozita parlamentare kërkon që në tryezën e dialogut të jetë i pranishëm vetë kryeministri Edi Rama. Opozita parlamentare u thirr në një takim ditën e shtunë edhe ngë ambasadorja amerikane dhe i BE-së, por tre kryetarët e grupeve deklaruan të vendosur se nuk do ta votojnë reformën pa plotësuar kushtet e tyre. Tashmë mbetet për t'u parë si do të reagojë shumica, e cila e vetme ka 77 vota në parlament nga 84 që duhen për reformën zgjedhore.

Letra e plotë drejtuar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryeministrit Edi Rama
Jemi vënë në dijeni të marrëveshjes së arritur jashtë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë ndërmjet partisë Socialiste, Demokratike dhe LSI-së në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Ju bëjmë me dije se kjo marrëveshje është në shkelje të legjitimitetit të Kuvendit të Shqipërisë, pasi i imponohet vendimmarrjes sovrane të këtij institucioni.

Në frymën e Kushtetutës e cila përcakton qartë në venin 81, pika 2, gërma C se ndryshimet në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe vendore miratohen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, si opozitë parlamentare kemi propozuar dy kushte të panegociueshme, plotësimi i të cilave sjell votimin tonë në Kuvend;

A) Kodi i ri zgjedhor duhet të jetë i ri, jo një arnim skandaloz i Kodit të vjetër zgjedhor ku shkelen me të dyja këmbët rekomandimet e OSBE-së. Ata që ikën nga parlamenti nuk mund ta mbajnë peng as parlamentin dhe as procesin zgjedhor në Shqipëri sipas hesapeve të tyre, qoftë edhe me bekimin e kryetarit të mazhorancës i cili sillet edhe si Ali dhe si Kadi, sipas hesapeve të tij.

B) Shumica në Kuvendin e Shqipërisë duhet të na krijojë kushtet dhe garanci për një dialog serioz, transparent dhe të hapur për kalimin nga listat e mbyllura tek listat e hapura.

Ne ju kërkojmë që brenda 48 orësh, ju të thërrisni një tryezë dialogu mes nesh dhe përfaqësuesve të mazhorancës, ku vetëm prania e kryeministrit Edi Rama do të ishte prova e seriozitetit të tryezës.

Ju bëjmë me dije se në mungesë të plotësimit të kushteve të mësipërme, deputetët e opozitës parlamentare nuk mundet dhe nuk do ta votojnë produktin e dalë nga një marrëveshje pazari jashtë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë.

Ju nuk duhet që të bëni gabimin e shumëkujt që kujton gabimisht se ne jemi kartonë në dispozicion të Lulzimit apo Monikës! Për ne janë ata kartat e djegura dhe marrëveshja e tyre, kartë e djegur njëlloj si mandatet e tyre. Ne nuk duam as t'ju kërcënojmë me bojkot dhe as t'ju imponojmë një pazar të ri pas pazarit të tjetër. Por ne nuk do ta gëlltisim çorbën e prishur të të ashtuquajturit Këshill Politik. Prandaj ju sugjerojmë të mos e nënvlerësoni këtë kërkesë dhe të mundësoni tryezën e dialogut brenda institucionit të parlamentit brenda 48 orësh.

Ky nuk është ultimatum, por ne jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e reformës zgjedhore dhe për kohë që ikën shpejt. Ndërkohë ju kërkojmë që të mos bëhet asnjë hap procedural në Kuvendin e Shqipërisë për fillimin e implementimit të pazarit të dakordësuar jashtë institucionit të Kuvendit, sepse në të kundërt ne do të jemi jashtë sallës së Kuvendit duke pritur tek dera që mazhoranca t'i thërrasë mendjes.

Në pritje me respekt;
Kryetari i grupit parlamentar Demokrat Myslim Murrizi
Kryetari i grupit parlamentar të Pavarur Nimet Musai
Kryetari i grupit parlamentar Demokraci dhe Drejtësi Edmond Stojku

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Qobani: 08/06/2020 16:26

    Hej o burra,pranoni Drejtsin mos e shitni BURRNIN

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?