Opera shqiptare “Skënderbeu”
shfaqet në Gjenevë

2 Nëntor 2012, 21:18| Përditesimi:

  • Share
Artistët e Teatrit të Operës dhe Baletit më datë 4 nëntor do të jenë në Gjenevë për të dhënë një prej koncerteve më të mëdha, i cili ka angazhuar rreth 140 artistë. Koncerti i datës 4 nëntor që do të zhvillohet në pallatin “Arena” në Gjenevë, një sallë që do të presë 6 mijë spektatorë. Koncerti është i ndarë në dy pjesë, në atë akademike dhe mbart performanca të veprave serioze të kompozitorëve shqiptarë dhe atyre kosovarë.

Programi muzikor i koncertit që për herë të parë çon në skenën e Gjenevës rreth 140 artistë do të fillojë me interpretimin e himnit kombëtarë për të vijuar më pas dhe me vepra përfaqësuese të skenës shqiptare dhe botërore, dhe në nder të vendit mikpritës do të interpretohet dhe Uvertura e Vilhem Telit. Në Gjenevë të Zvicrës veç të tjerash do të luhet për herë të parë një pjesë nga opera “Skënderbeu” që mban firmën e kompozitorit Vivaldi, ekzistenca e së cilës është zbuluar së fundmi, ndërsa kjo shfaqje e Teatrit të Operës dhe Baletit gjatë nëntorit do të shfaqet premierë absolute në skenë, por nuk do të mungojë dhe një pjesë nga “Skënderbeu” i Prenk Jakovës.

Në këtë mbrëmje të gjatë ku do të performohet më e mira e veprave të muzikës shqiptare, arritjet më të mira të krijimtarisë dhe më domethënëse të artit shqiptar, pjesa e folklorit që do të prezantohet në skenë nga trupa e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, do të mbledhë bashkë artistë të njohur të trevave shqiptare. Për organizatorët, koncerti i cili vjen në kuadër të kremtimeve në këtë 100-vjetor shënon një ngjarje të madhe kulturore në qendrat e mëdha evropiane, sidomos aty ku shqiptarët janë faktor i rëndësishëm.

Drejtori i Teatrit të Operës, maestro Zhani Ciko, që është edhe dirigjent i këtij koncerti të madh pohon se në skenë do të jenë vlerat më të mira të krijimtarisë artistike. “Mund të përmend këtu veç “Skënderbeut” dhe vepra të tilla si “Agimet shqiptare” apo “O ju male”, të cilat nuk mund të mos i interpretojmë në këtë 100-vjetor”, thekson maestro Zhani Ciko.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se do realizohet vota e diasporës për zgjedhjet e ardhshme?