OKB-ja dhe Nigeria nënshkruajnë marrëveshje për të luftuar terrorizmin

31 Gusht 2023, 17:49
  • Share

OKB-ja dhe Nigeria nënshkruan një marrëveshje për të luftuar terrorizmin, tha një zyrtar të enjten.

Marrëveshja u nënshkrua nga nënsekretari i OKB-së për kundër-terrorizmin Vladimir Voronkov dhe një zyrtar i qeverisë nigeriane të mërkurën vonë, sipas kreut të Komunikimeve Strategjike në zyrën e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Zakari Mijinyawa.

“Qeveria nigeriane përmes Zyrës së Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara për Kundër Terrorizmin kanë nënshkruar Memorandume Mirëkuptimi për të forcuar më tej përpjekjet kundër terrorizmit në vend”, tha Mijinyawa në një deklaratë.

Ai tha se të dyja palët u zotuan të forcojnë luftën kundër terrorizmit në Nigeri dhe përgjatë kufijve të Afrikës Perëndimore, raportojnë mediat e huaja.

Voronkov tha se bashkëpunimi përfshin luftën kundër financimit të terrorizmit, lëvizjen terroriste, sigurinë kufitare dhe detare, si dhe ofrimin e trajnimeve kundër terrorizmit në Nigeri.

Luftimet midis forcave ushtarake dhe grupeve terroriste Boko Haram dhe Shtetit Islamik në Provincën e Afrikës Perëndimore (ISWAP) janë të shpeshta në verilindjen e paqëndrueshme të Nigerisë.

Rreth 100 mijë persona janë vrarë dhe 3 milionë të tjerë janë zhvendosur në më shumë se një dekadë të sulmeve terroriste në Nigeri, sipas Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Emergjencave.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?