OFL sërish në Kushtetuese, ‘i forti’ i Niklës Flamur Haka kërkesë për shfuqizimin e Aktit Normativ! Më parë Gjykata e ‘certifikoi’ si Kushtetues

13 Prill 2022, 11:12| Përditesimi: 13 Prill 2022, 12:37

  • Share

Më 25 maj 2022 në Gjykatën Kushtetuese pritet një tjetër seancë për shqyrtimin e Aktit Normativ që themeloi ‘Operacionin Forca e Ligjit’. Subjekti i OFL, Flamur Haka, ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të Apelit të GJKKO që i konfiskoi pronat, si dhe aktin normativ si antikushtetues në tërësi.

Flamur Haka është dënuar për “Vjedhje me dhunë”. Ai është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Flamur Haka njihet me nofkën “Tuku” dhe është pjesë e bandës famkeqe që vepron në këtë zonë që prej 1998-ës. Në shkurt të vitit 2008, ai është shpallur fajtor nga Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila e ka dënuar me 16 vite burgim.

Por ai qëndroi në qeli vetëm 9 vjet, që nga momenti i arrestimit, pasi pjesën tjetër të dënimit e shleu me ulje të herëpashershme e më pas në liri me kusht. “Banda e Niklës” u godit gjatë një operacioni të zhvilluar në vitin 2005, ndërsa anëtarët ishin të akuzuar për 7 grabitje me dhunë, një rrëmbim personi dhe një atentat. Drejtuesi i këtij grupi ishte Flamur Haka, personi që ra në prangat e policisë dhe gjatë një operacioni të zhvilluar në Nikël në 2018.

Operacioni 'Forca e Ligjit' i cili prej afro një viti goditi pasuritë e mbi 500 subjekteve me rekorde kriminale është në fuqi edhe pas një ankese në Gjykatën Kushtetuese, e cila nuk ka pranuar kërkesën e njërit prej subjekteve, Edlir Hysenajt, pasi sipas saj nuk shkelen të drejtat e njeriut. 

Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim çështjen dhe ka vlerësuar se procesi gjyqësor sipas aktit normativ nr. 1/2020, nuk zhvillohet në fushën penale, pra nuk synon të vërtetojë një fakt penal, sepse rregullat e gjykimit në këtë rast janë ato të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, ndërsa pasojat e këtij gjykimi janë të natyrës civile, sepse lidhen me pasurinë. Për rrjedhojë, në rastin konkret nuk mund të zbatohet parimi 'ne bis in idem', pra çështje e gjykuar 2 herë.

Gjykata vlerëson se pretendimet për cenimin e parimit të mosdënimit dy herë për të njëjtën vepër (ne bis in idem)dhe të gjësë së gjykuar (resjudicata) janë të pabazuara. Për rrjedhojë, duke e parë të lidhur me këto pretendime, Gjykata vlerëson se nuk ka as cenim të parimit të sigurisë juridike.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Propozimi i PS, a na duhet një reformë e re anti-korrupsion?