Oferta e Ramës, Basha: Vendit
i duhet pakt për shtetin ligjor

7 Dhjetor 2017, 15:35| Përditesimi:

  • Share
Duke reaguar ndaj ftesës së kryeministrit Rama për një pakt kombëtar për kryeprokurorin, kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se i vetmi “pakt” për të cilin ka nevojë Shqipëria është ai për Kushtetutën dhe shtetin ligjor.

“Kushtet që BE ka vendosur për Shqipërinë janë të qarta: zbatimi i reformës në drejtësi dhe vettingu; lufta kundër drogës dhe krimit; lufta kundër korrupsionit; reforma e administratës publike; dhe respektimi i të drejtave themelore të njeriut”, ka reaguar Basha.

Në profilin e tij në Facebook, kreu i opozitës ka nënvizuar se, mbështet pa asnjë kusht përpjekjet për përmbushjen e secilit prej këtyre kritereve. 

“Ne mbështesim pa asnjë rezervë zhbllokimin e menjëhershëm të reformës në drejtësi dhe krijimin e KLP-së për t’i hapur rrugën krijimit të SPAK-ut dhe të Byrosë së Hetimit, si dhe zgjedhjes së prokurorit të përgjithshëm në mënyrë kushtetuese, pasi të ketë kaluar vettingun me tre të pestat e Kuvendit”, ka thënë më tej Basha.

Ai ka insistuar për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri dhe hetimin e tij si çdo qytetar i thjeshtë për lidhjet me trafikun e drogës. “Mbështesim pa kushte edhe hetimin e të gjithë zyrtarëve të lidhur me krimin nga Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini tek shefat e policisë. Mbështesim arrestimin dhe hetimin e grupeve kriminale nga Habilajt tek Balilajt”, ka vijuar Basha.

Ai ka shprehur “mbështetje pa asnjë rezervë” edhe sa i takon luftës kundër korrupsionit, sidomos hetimit të koncesioneve në shëndetësi, inceneratorë, PPP-të, etj.

“Ne mbështesim pa asnjë rezervë të drejtat e qyterarëve, liritë dhe pronën e tyre kundër ndërhyrjeve arbitrare. Ne do japim kontributin tonë në Kuvend dhe në institucione për këtë gjë. Por detyra jonë është të bëjmë opozitë, çfarë është rol themelor dhe i domosdoshëm për funksionimin e demokracisë, kufizimin e pushtetit dhe mirëqeverisjen e vendit. Shqipëria nuk duhet të ketë demokraci fasadë dhe nuk duhet të ketë partitë dhe tavolinat partiake mbi Kushtetutën dhe mbi institucionet”, ka shtuar Basha.

G.F. / Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?