Oda Amerikane

Oda Amerikane: Bllokimi i qytetarëve të Kosovës nga Serbia pengon stabilitetin rajonal

17 Prill, 18:06| Përditesimi: 17 Prill, 18:08

  • Share

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e thellë lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga autoritetet serbe për të bllokuar qindra kosovarë në pikë kalimet kufitare Serbi – Kroaci dhe Serbi – Hungari.

Kjo bllokadë, sipas Odës Amerikane, paraqet shkelje të qartë të dispozitave të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, synojnë promovimin e stabilitetit ndërmjet dy shteteve dhe gjithë rajonit. Në qendër të këtyre marrëveshjeve është parimi i lehtësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, i cili përbën një vlerë thelbësore në procesin e integrimit evropian. Duke penguar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në destinacionet e tyre të dëshiruara në Evropën Perëndimore, autoritetet serbe jo vetëm që po i minojnë këto marrëveshje por edhe po pengojnë përparimin drejt stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian”.

Oda Amerikane beson se lëvizja e lirë e njerëzve është thelbësore për nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e shkëmbimit kulturor dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve, “prandaj kufizimet e tilla jo vetëm që pengojnë jetën e individëve, por kanë edhe ndikim negativ në tregtinë, investime dhe aktivitete të biznesit në rajon”.

“Prandaj, Oda Amerikane i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që të përmbahen nga veprimet e ngjashme në të ardhmen duke respektuar angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Si përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar që të avokojë për parimet e lëvizjes së lirë, bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit ekonomik në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ne jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha palët e interesuara për të adresuar çdo sfidë dhe pengesë për arritjen e këtyre qëllimeve”, vijon reagimi i tyre.

Qindra kosovarë kanë mbetur të bllokuar në pikëkalimet kufitare me Serbinë që nga orët e vona të së martës. Atyre u janë marrë dokumentet, ndërsa nuk u është dhënë ndonjë arsyetim për ndalimin. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këtë veprim, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë./ MONITOR

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?