Objektivi: Në fund të 2020 35% e
sipërmarrjeve drejtohen nga gratë

15 Shkurt 2016, 11:00| Përditesimi:

  • Share
TIRANE - Gratë sipërmarrëse do të mund të drejtojnë 35% të sipërmarrjeve në vitin 2020. Ky është objektivi i përcaktuar në dokumentin e politik të përfshirjes sociale për periudhën 2016-2020.

Në të përcaktohet barazia gjinore në tregun e punës si një nga synimet kryesore për zhvillimin e ekonomisë dhe që do të arrihet përmes ndryshimeve legjislative për paga të barabartë, nxitja e masave të diskriminimit pozitiv në sektorët ku gratë janë të nënpërfaqësuara dhe përmirësimi i qasjes në kredi dhe mbështetja e bizneseve.
Strategjia thekson nevojën për promovimin e bizneseve sociale, por edhe për hartimin e programeve mbështetëse me qëllim forcimin e aftësive të tyre për drejtimin e biznesit.

Në këtë fushë një rol të rëndësishëm mund të luajë ngritja e kooperativave dhe sipërmarrjeve sociale, duke ndjekur shembujt e suksesshëm që janë zbatuar në vende të tilla si Italia veriore dhe vende të tjera në Europë.

“Masa e nënpërfaqësimit të grave është më e lartë në sektorin privat jobujqësor, ku vetëm 33.4% e punonjësve janë gra, ndërsa shifra në sektorin publik është 48%.

Gratë janë gjithashtu të nënpërfaqësuara në organizatat e shoqërisë civile, vetëm 18,2% e të cilave drejtohen nga gra. Një përqindje e ngjashme e menaxhereve të bizneseve private janë gra. Shumica e bizneseve të regjistruara të drejtuara nga gra gjenden në Tiranë (31%) dhe Elbasan (30%).

Ndonëse rreth 70% e grave që jetojnë në zonat rurale punojnë në bujqësi, vetëm 6% e fermave janë në pronësi ose nën menaxhimin e tyre. Përveç kësaj, shumë gra në zonat rurale punojnë në punë të papaguara familjare, çka rrit rrezikun që ato të jenë në një gjendje të cenueshme shfuqizimi dhe varësie ekonomike”, thuhet në dokument. /MINITOR/

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?