Nxënësit e shkollës 'Besnik Sykja' mbjellin pemë buzë Lanës, Veliaj: Ftoj të gjithë qytetarët që të japin kontributin e tyre për një Tiranë më të gjelbër

15 Mars, 14:35| Përditesimi: 15 Mars, 14:39

  • Share

Nismës së Bashkisë së Tiranës për mbjellje pemësh i janë bashkuar edhe nxënësit e shkollës “Besnik Sykja”, të cilët në ditën e tyre të pushimit zgjodhën të kontribuojnë për një qytet më të gjelbër. Në mbjellje mori pjesë edhe moderatorja, Fjodora Fjora me të birin, Alteon. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se synimi i nismës së ndërmarrë nga bashkia është që deri në vitin 2030 në Tiranë të jenë mbjellë 2 milionë pemë.

“Për të pasur një qytet që sot ka mbi 1 milionë pemë të reja, duhen mbjellë nga disa qindra çdo ditë. Nuk do të humbasim kohë, që vitin tjetër të kemi një Ditë Vere edhe më të gjelbëruar dhe një Tiranë me më shumë oksigjen. Do fillojmë punën që sot, dhe do të shfrytëzojmë çdo ditë, deri sa toka të jetë e përshtatshme për mbjellje. Sa të ketë shira dhe të ketë mjaftueshëm lagështirë, do të shfrytëzojmë çdo ditë për të mbjellë qindra pemë të tjera e për t’u siguruar që edhe këtë vit e kalojmë atë nivelin 150 mijë pemë në vit, për të mundësuar që deri në 2030 të kemi mbjellë 2 milion pemë në Tiranë”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku falenderoi nxënësit e shkollës “Besnik Sykja” si dhe Fjodorën me të birin, që treguan se janë qytetarë të mirë dhe që i kushtojnë rëndësi nismave të marra nga Bashkia Tiranë.

“Është shumë kollaj të gjykosh dikë që mbjell pemë sepse kur je në divan çdo gjë të duket shumë e lehtë. Është shumë kollaj të jesh cinik kur je në karrige, përpara internetit, për t’i dhënë mend gjithë dynjasë. Por të marrësh lopatën është një çikë më e vështirë se do të thotë se dikush çohet me një mison për qytetin. Nëse misionet më para ishin të merrje armët në dorë dhe të mbroje këtë vend, sot e mbrojmë vetëm duke e lulëzuar, duke e bërë më të begatë, edhe më të gjelbër. Dua të falenderoj “të madh e të vogël”, nga Teo edhe Fjodora, tek çunat dhe gocat fantastike të shkollës “Besnik Sykja”, që kanë sot një shkollë të re. Besoj që përveç se janë nxënës të mirë, janë edhe qytetarë të mirë. Një qytetar i mirë del edhe në ditë pushimi për të dhënë një kontribut dhe për të lënë një shenjë në qytet”, nënvizoi Veliaj.

Në fund, ai ftoi të gjithë qytetarët e Tiranës që të japin kontributin e tyre për një qytet më të gjelbër dhe me më shumë oksigjen.

“Ftesa për të gjithë qytetarët është: Lini një shenjë. Mund të jetë një pemë në oborrin tuaj, në lagjen tuaj, në një nga ambientet publike. Për shumë prej kompanive që kanë para për marketing, një spot për 30 sekonda e harrojnë të gjithë, ama një pemë që do të jetë këtu 30, 40 vitet e ardhshme, do të jetë një kontribut për të gjithë. Secili sipas mundësive të mbjellë pemë, që të kemi mundësi të kapim targetin që i kemi vënë vetes për 150 mijë pemë në Tiranë për këtë sezon. Mund të duket si gjë e vogël, 5 pemë këtu, 5 pemë atje, por kur bëhet përditë dhe nga qindra njerez, atëherë rezultati është ky që kemi sot: Një Tiranë shumë herë më e gjelbëruar”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e saj moderatorja, Fjodora Fjora tha se ndihet e lumtur që po kontribuon për gjelbërimin e qytetit dhe që po krijon një kujtim për të dhe të birin në qytetin e tyre të lindjes.

"Mbollëm një pemë të kuqe, sepse Teo i ka shumë qef. I vumë edhe emrin Aldora, sepse kemi kombinuar dy emrat tanë bashkë. Jemi shumë të lumtur që po i shtojmë një pemë qytetit tonë. Na pëlqen shumë të dalim, ta shijojmë. Për ne është gjithmonë kënaqësi t'i bashkohemi çdo lloj nisme që përmirëson jetën", tha moderatorja Fjodora Fjora.

Fushatës së Bashkisë së Tiranës për mbjelljen e pemëve i janë bashkuar mjaft personazhe të njohur, të cilët kanë zgjedhur që të bëjnë dhurata ndryshe për familjarët e tyre, duke u lënë atyre një kujtim të veçantë në qytet.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?