Nxënësit e shkollës ‘Besëlidhja’ në Lezhë shesin lule për libra: Do pasurojmë bibliotekën dhe të sjellim dituri

5 Maj 2022, 15:13| Përditesimi: 5 Maj 2022, 15:28

  • Share

LEZHË- “Ju blini lule, ne blejmë libra” është nisma e panairit të luleve që për të dytin vit radhazi bashkoi  nxënësit e shkollës 9 Vjeçare “Besëlidhja” në Lezhë me qëllim pasurimin e bibliotekës së tyre.

Teksa tërheqin vëmendjen e blerësve nën tingujt muzikorë, nxënësit thonë se kanë punuar me shumë dashuri për të kultivuar lulet përmes materialeve të riciklueshme.

 “Dëshirojmë të sjellim buzëqeshje tek njerëzit me aromën dhe bukurinë e luleve tona, dhe sa më shumë lule të mbyllen aq më shumë ajër i pastër do jetë. Misioni jonë më i madh është që të pasurojmë bibliotekën e shkollës tonë me libra dhe të sjellim dituri në mendjen e të vegjëlve”, shprehet një nxënëse.

“Na është dashur disa muaj, e kemi bërë këtë me faza. Kemi rritur lulet në dhjetor, janar dhe në mars”, thotë një nxënëse tjetër. 

Për mësuesen e shkollës Lulzime Celami, qëllimi kryesor i kësaj nisme është edukimi i dashurisë për punën dhe librin tek grupmoshat e vogla të fëmijëve.

 “Ky aktivitet ka një qëllim tjetër në vetvete sepse këto fëmijë duke i blerë vetë, ata në fillim i lexojnë vetë këto libra dhe më pas i japin për të pasuruar fondin e bibliotekës së shkollës”, tha Celami.

Panairi i luleve dedikuar librit është kthyer në një traditë të përvitshme duke tërhequr vëmendjen e shumë qytetareve lezhjanë, të cilët japin kontribut për nismat e nxënësve, duke u blerë atyre lulet.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?