Nxënësit e Mitrovicës vizitojnë Kullën e Qëndresës në Kukës! Mësuesit: Lënda e historisë të futet në shkollat profesionale

19 Mars 2023, 16:51| Përditesimi: 19 Mars 2023, 16:55

  • Share

Dhjetëra nxënës të Mitrovicës, nisën turin e tyre nga Kukësi drejt qyteteve të tjera turistike të vendit. Kulla e Qëndresës që përkujton eksodin e 1999-ës është ndalesa e parë pasi simbolizon eksodin biblik, që e ka zanafillën pikërisht nga Mitrovica, banorët e së cilës udhëtuan për tre ditë në këmbë për të mbërritur në Kukësit.

Mësuesit e shkollës së Mesme Mjekësore "Xheladin Deda" janë dëshmitarë të vuajtjeve të asaj kohe, por brezi i ri ka njohuri të cunguara, pasi lënda e historisë është hequr nga shkollat e mesme profesionale të Kosovës.

“Është obligim që nxënësve tua freskojmë njohuritë për vuajtjet e popullit tonë. Është përjetim që ne e kemi pasur, kjo gjeneratë nuk e ka pas këtë fat të keq, por brezi im e kemi provuar dhunën, ndaj ata duhet ta dinë se Shqipëria na ka pritur që të mos harrohet ngjarja. Me keqardhje e them se historia është hequr nga shkollat e mesme profesionale, dy ministritë duhet ta ndryshojnë këtë”, u shpreh Gani Rama.

“Është nder me vizituar Kukësin dhe sidomos Kullën e Eksodit, është mision edukativ ekskursioni në këtë vend. Në tekste s’ka njohuri rreth eksodit”, tha Selim Jonuzi.

Gjatë luftës 1998-1999, rreth një milion shqiptarë të Kosovës u detyruan nga forcat serbe të shpërnguleshin nga shtëpitë e tyre dhe të strehoheshin kryesisht në Shqipëri, por dhe në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. 

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?