Brazili në Botërorin 2002

Nuk paguan dot borxhet, kampionit të botës me Brazilin i sekuestrojnë edhe trofetë! I falimentuar, vetëm me 610 euro në bankë

27 Prill 2023, 16:41| Përditesimi: 27 Prill 2023, 16:45

  • Share

Marcos Andre Batista dos Santos (Vampeta) ishte kampion bote me Brazilin, një titull i fituar në vitin 2002 në Japoni dhe Korenë e Jugut, në edicionin e golashënuesit më të mirë, Ronaldos. Për të gjithë tifozët italianë të futbollit ai do të mbetet gjithmonë meteori që kaloi në qiellin e Interit.

Ishte vera e vitit 2000 dhe mesfushori brazilian, atëherë 26 vjeç, zbarkoi në Pinetina pas sezoneve të shkëlqyera me PSV dhe Corinthians. Ai nuk u përshtat kurrë në Milano, as nuk ndihmoi sezonin katastrofik që pa lamtumirën e bujshme të Marcello Lippit pas vetëm një ndeshjeje dhe mbërritjen në pankinë të Marco Tardellit. Në Serie A luajti vetëm një ndeshje, më pas historia e tij te zikaltrit përfundoi. Ai shkoi te PSG për një sezon, më pas u kthye në Brazil ku e përfundoi karrierën e tij.

Vampeta kur luante me Interin

Një personazh shumë i çuditshëm (në vitin 1999 ishte futbollisti i parë brazilian që pozoi i zhveshur për revistën ‘G Magazine’, në këmbim të një shume të madhe), Vampeta megjithatë ka 41 ndeshje me kombëtaren braziliane. Pavarësisht se në Serie A mbahet mend si një dështim, në atdhe gëzon reputacion dhe konsideratë shumë më të lartë. Telashet në të cilat është futur ish-futbollisti nga Bahia, tashmë 49 vjeç, kanë bërë shumë bujë orët e fundit. Gjykata e Sao Paulo ka urdhëruar sekuestrimin e të gjithë trofeve dhe medaljeve të fituara në karrierën e tij nga kampioni i botës.

Arsyeja  është një borxh prej pak më shumë se 50 mijë euro ndaj shkollës së vajzave të tij. Një borxh që lidhet me tarifat e papaguara të shkollimit për dy vajzat, që daton disa vite më parë dhe prej atëherë ka arritur shifrën aktuale me interes.

Situata është shumë më e keqe për Vampeta, teksa gjykatësi e urdhëroi ish-futbollistin të listonte të gjitha pasuritë e tij, që i nënshtroheshin konfiskimit deri më 29 prill. Nëse nuk e paraqet listën, ish-interisti do të ekspozohet ndaj sanksioneve të mëtejshme. Me të njëjtën dispozitë, gjykata ka autorizuar ndërkohë sekuestrimin e medaljeve, trofeve, madje edhe veshjeve. Në brazil tregojnë se llogaria bankare e Vampetës tanimë është reduktuar në vetëm 610 euro.

Vampeta

S.DH/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?