Nuk ka dakordësi, ligji i
mbetjeve nuk kalon as sot

22 Dhjetor 2016, 08:27| Përditesimi:

  • Share
LSI dhe PDIU nuk i kanë dhënë dakordësi Partisë Socialiste për rrëzimin e dekretit të presidentit mbi ligjin e importit të mbetjeve. Në këto kushte, dekreti është hequr nga rendi i ditës i seancës së sotme, duke u shtyrë për shqyrtim në janar.

Burime për Shqiptarja.com saktësuan se, meqë mazhoranca nuk ka dakordësinë dhe 71 vota kundër dekretit të Nishanit, atëherë rruga e vetme është pranimi i dekretit dhe ndryshimi i ligjit të mbetjeve.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se relatori i këtij projektligji, Besnik Bare është duke përgatitur disa amendamente për këtë ligj, që saktësojnë procedurat e importit të mbetjeve, kryesisht tek lëndët e para djegëse. Këto amendamente do të shqyrtohen në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese me fillimin e sesionit të ri parlamentar në janar, pasi veç ditës së sotme, nuk ka një seancë tjetër në këtë vit kalendarik.

Ligji për importin e mbetjeve u miratua në 22 shtator me vetëm 63 vota. Pas reagimit publik, LSI dhe PDIU janë tërhequr nga mbështetja e ligjit duke kërkuar më shumë garanci për monitorimin dhe mbrojtjen e mjedisit.

Edi Rama do të zhvillojë sot një interpelancë të kërkuar nga Ben Blushi dhe 6 kolegë të tjerë të tij: Mimoza Hafizi, Dashamir Shehi, Astrit Patozi, Vangjel Dule, Agron Duka, Nard Ndoka. Ata i kërkuan kryeministrit një interpelancë urgjente me temë kryesore çështjen e hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian. Në zbatim të Rregullores së Kuvendit, nëse kërkesa dorëzohet deri në orën 14:00 të së hënës, sikundërse deputetët e kanë bërë, atëherë interpelanca zhvillohet të enjten e ardhshme si pikë e parë e rendit të ditës. Për këtë çështje, Ilir Meta ka njoftuar menjëherë Edi Ramën për detyrimin e mbajtjes së interpelancës, me anë të një shkrese po atë ditë, pra në 19 dhjetor.  

8 projektligje gjithsej të parashikuara për tu votuar ditën e sotme, janë shtyrë për në janar. Kuvendi njofton zyrtarisht se “Vijon puna në komisionet parlamentare për projektligjet, që ishin parashikuar në kalendar për t’u miratuar në seancën plenare të datës 22.12.2016: Projektligji “Pёr nxitjen e përdorimit tё energjisë nga burimet e rinovueshme”; Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”; Projektligji “Për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë”; Projektligji “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”; Projektligji “Për statusin e punonjësve të industrisë së naftës dhe të gazit”; Dekreti “Për kthimin e ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve””; Dekret “Për kthimin e ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për dhomat e tregëtisë dhe industrisë””; Projektligji “Për miratimin e kontratës ndryshuese të kontratës së koncesionit, ndërmjet Ministrisë së Financave, si autoritet kontraktues, dhe shoqërive “Sicpa Security Solutions, s.a.” e “Sicpa Security Solutions, Albania”, sh.p.k., “Për projektimin, financimin, dizenjimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”.
 
rendi dites kuvend

rendi dites kuvend
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?