Një punonjës 35 euro në muaj për masat anti-COVID! Arben Shkodra: Duhet analizë për humbjet e shkaktuara dhe paketë rimëkëmbje (VIDEO)

7 Dhjetor 2020, 17:10| Përditesimi: 7 Dhjetor 2020, 21:09

  • Share

TIRANË- Sipërmarrjet prodhuese kanë harxhuar deri në 35 euro në muaj për punonjës për të mos lejuar përhapjen e pandemisë. Sekretari i Përgjithshëm i Prodhuesve Arben Shkodra thotë se është koha për të bërë një analizë të dëmeve dhe të merren masa.

“Nga një analizë që kemi bërë del që kemi një 3500 lekë deri në 4000 lekë të reja që një sipërmarrje e madhe i ka harxhuar për çdo punonjës për të frenuar përhapjen e pandemisë nëpër fabrika. Ky është një sinjal për qeverinë që të kemi një paketë rimëkëmbje që të përfshijë edhe këto kosto që ne i kemi përballuar”, theksoi ai.

Edhe pse qeveria është shprehur e prerë se nuk do të ketë një paketë rimëkëmbje, biznesi vazhdon tëkërkojë mbështetje.

“Paketa duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Por që të bëhet kjo paketë duhet të kemi një analizë të qenësishme për gjithë ndikimin në ekonomi, ne sot nuk e kemi. Ndoshta nuk ka nevojë për një paketë tërësisht financiare, por për një paketë lehtësuese. Mund të jetë lehtësuese procedurale me shtyrje taksash, me ulje të barrës të procedurave të rënda. Në kohë kur ne jemi në pandemi ne nuk mund të shtojmë procedura si ajo e bllokimit të llogarive bankare. Duhet të marrim shembull nga rajon, dhe nga Kosova që para pak ditësh e miratoi”, u shpreh Shkodra. 

Nga ana tjetër Shkodra ka rezerva edhe për buxhetin e vitit 2021.

“Buxheti i vitit 2021 nuk parashikon një plan të qartë të rimëkëmbjes, por një ecuri me shumë entuziazëm të qeverisë”, ky është vlerësimi i sekretarit të prodhuesve për buxhetin e vitit të ardhshëm.

Buxheti i vitit që vjen është 484 miliardë lekë dhe përfshin edhe vendimet e qeverisë për të hequr tatim- fitimin për bizneset me xhiro deri 14 milionë lekë, TVSH-në për subjektet me qarkullim 10 milionë  si dhe skemën për fermerët.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si i vlerësoni protestat e dhunshme të Rithemelimit tek Bashkia?