Nju Jorku, legjislacion
për ndalimin e cigareve elektronike

20 Dhjetor 2013, 09:17| Përditesimi:

  • Share

 
REUTERS– Këshilli i Qytetit të Nju Jorkut votoi të Mërkurën për projektligjin lidhur me cigaret elektronike. Projektligji kërkon të shtojë cigaret elektronike në listën e atyre që ndalohen të pihen rreptësisht. Kjo është një prej masave të fundit prej shumë të tjerave kundër pirjes së duhanit të vendosura nga kryebashkiaku Michael Bloomberg.
 
Bloomberg ka marrë kritika dhe disa janë përpjekur ta paraqesin si “dado” në qytetin më të madh të Amerikës, duke vënë gishtin te ndalimet e tij lidhur me pirjen e duhanit, përpjekjet për të limituar shitjen dhe konsumin e ushqimeve me shumë yndyrë dhe pijeve me shumë sheqer. Ndërsa nga ana tjetër, mbrojtës të shëndetit publik i kanë duartrokitur këto përpjekje.
 
Vetëm disa javë pasi Nju Jorku u bë qyteti i parë i madh që ngriti moshën ligjore për të blerë cigare në 21 vjeç, Këshilli i Qytetit votoi 43-8 për të shtuar edhe cigaret elektronike  në atë që njihet si “Smoke-Free Air Act”.
 
Nëse kryebashkiaku nënshkruan, pritet që pirja e cigareve elektronike do të jetë e ndaluar në vende publike por edhe në vende private si plazhet, parqet, restorantet dhe ndërtesat zyrtare pas 120 ditësh.
 
Zëdhënësja e Këshillit të Qytetit, Christine Quinn, tha në një konferencë për shtyp të Martën se përdorimi publik i cigareve elektronike kërcënon të dobësojë ligjet anti-duhan sepse shfaqja e tyre është e ngjashme me ato të cigareve tradicionale dhe mund të “ri-normalizojë pirjen e duhanit në vende publike.”
 
Kritikët e këtij ligji vërejtën se një ndalim i tillë në fakt më shumë dëmton sesa bën mirë.
Richard Carmona, një ish kirurg i përgjithshëm në SHBA dhe anëtar i bordit “NJOY”, një nga tregtarët më të mëdhenj të cigareve elektronike, i dërgoi një letër këshillit ku kërkonte që të refuzohej projekt-ligji.
 
Ai u shpreh i shqetëesuar lidhur me këtë masë, që sipas tij është “një përpjekje me qëllim të mirë por e pambështetur shkencërisht”. Sipas tij, kjo mund të çojë “hapa të mëdhenj mbrapa në përpjekjen për luftën kundër pirjes së duhanit”.
 
Debati mbi rreziqet apo përfitimet e cigareve elektronike është ende i pazgjidhur, por një studim i fundit në gazetën mjekësore britanike “The Lancet”, thotë se ato janë po aq efektive sa fashat nikotike për duhanpirësit që përpiqen të lenë duhanin.
 
Tre shtete - Utah, Dakota e Veriut dhe Nju Xhersi kanë kaluar tashmë legjislacionin për ndalimin e cigareve elektronike.
 
Redaksia online
 
(bg/ shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?