Njoki me gorgonzola dhe krem kungulli
Përbërësit:
- 400 gr njoki
- 150 gr djathë gorgonzola
- 200 gr kungull
- 100 ml pana
- 1 mollë
- 1 qepë
- Kripë, piper
- Vaj ulliri ekstra i virgjër
Përgatitja:
Pastrojmë kungullin dhe e presim për së gjati, Më pas pastrojmë qepën dhe e presim në feta mjaft të holla dhe e vendosim në një tigan me pak vaj ulliri. Kur qepa të ketë marrë ngjyrë të artë, shtojmë kungullin dhe një garuzhde me ujë dhe e lëmë të gatuhet për rreth 25 minuta. Më pas vazhdojmë me përgatitjen e kremit gorgonzola. Largojmë pjesët anësore të djathit gorgonzola, e presim në kubikë dhe e vendosim në zjarr mesatar ku shtojmë panën. E trazojmë derisa të shkrijë dhe të bëhet masë kremoze.
Vendosim ujë të vlojë në një tenxhre me pak kripë, dhe sapo të marrë valë hedhim njokit dhe i lëmë të ziejnë për afërsisht 7 minuta. Ndërkohë përziejmë kungullin me një blender dhe përgatisim garniturën me mollë të prerë në feta të holla. Kullojmë njokit dhe i kaurdisim në tigan me kremin gorgonzola, që të përzihen mirë dhe të aromatizohen. E servirim duke vendosur fillimisht kremin e nxehtë të kungujve, më pas njokit me kremin gorgonzola dhe në fund e dekorojmë pjatën me feta të holla molle.