Periferi

Njerëzit që mbajnë në ekuilibër Shqipërinë

16 Prill 2019, 18:50| Përditesimi: 16 Prill 2019, 18:53

  • Share

Jemi i vetmi vend në Ballkan dhe në Europë ku kundërshtarët mund të thonë fjalën e fundit për njëri-tjetrin, duke rrezikuar fare pak, ose asgjë. Adhuruesit e Berishës mund të shprehen fare lirshëm se Rama është vrasës e më keq, dhe ata të Ramës të thonë me bindje se Berisha është vrasës i shumëfishtë. Pa përmendur të tjera epitete që përdoren përditë në rrjete sociale që më pas kurorëzohen akoma më egër dhe fort në mbrëmje në studio televizive. Sipas fjalëve të thëna poshtë e lart Shqipëria është mbushur me vrasës, hajdutë e njerëz të tmerrshëm. Dhe askush nuk mban përgjegjësi për këtë.

E megjithatë, e gjitha kjo e ka një fillim. E kujtojmë se kur dhe kush nisi "ekzekutimin me vdekje" të Drejtësisë së lirë e cila sapo kish nisur të çelte në Shqipëri? Kush u shtypi "kokën" të parëve individë me personalitet dhe dinjitet që kishin nisur të shfaqeshin në horizontin e Drejtësisë shqiptare? Më pas, e kujtojmë se si u përgatitën të mbusheshin armatat e njerëzve të rinj në Drejtësi? Kush u kujdes që Drejtësia, si ajo e vendeve të qytetëruara dhe të përparuara, në Shqipëri, në vend që të futej në rrugën e mbarë, të rritej e forcohej, të preferonte më mirë... të varte, që në lindje,  veten.

Për të pasur një terren si ky që kemi sot, ku nderohen e mbrohen njerëzit që kanë paranë si argumentin më me peshë, disa kanë punuar me kohë. Për të kuptuar se kush ka të drejtë e kush e ka gabim, në një kohë që secili mendon se ka më të bukur mendjen e tij, civilizimi bëri të lindtte pikërisht një Drejtësi të saktë, të ftohtë dhe e mirë.

Jemi në këtë gjendje ku jemi sot, përballë egërsisë më të paimagjinueshme të fjalës, sepse disa kanë punuar shumë me insistim që të vinte kjo ditë: që askush të mos kuptonte se kush është i drejtë e kush kriminel, kush hajdut e kush punëtor, kush i aftë e kush i paaftë për të bërë gjëra me vlerë për Shqipërinë.

Derikur të kemi një Drejtësi të denjë edhe në Shqipëri duhet durim, tepër durim për të lexuar e dëgjuar delirimet në rrjet e në eter. Të heshtur, do të qëndrojnë si gjithmonë, njerëzit e punës dhe njerëzit e mirë. Ata, vetëm ata, natyrshëm nuk mund të ndotin askënd në rrjet apo në publik. Ekuilibrin në Shqipëri po e mbajnë me mundim vetëm njerëzit nga natyra qytetarë dhe të mirë.

xy/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?