Një vatër e agjentëve rusë

10 Korrik, 13:26| Përditesimi: 10 Korrik, 13:27

  • Share

Zvicra ka shumë kodra magjike, njëra ndër to është Bürgenstock në kantonin Nidwalden, prej nga mund të shihet liqeni i Luzernit. Hoteli me të njëjtin emër i takon familjes sunduese të Katarit. Shefi i hotelit në Bürgenstock, sheiku Navaf Bin Jasim Bin Jabor Al-Tani, është dënuar me 6 vjet burg në Katar dhe me një gjobë prej 207 milionë frangash për shkak të keqpërdorimit të fondeve publike. Sheiku Navaf është president i Katara Hospitality, një degë e hotelerisë e Fondit Shtetëror të Katarit.

Ky Fond është pronar i 42 hoteleve anekënd botës. Në Zvicër krahas Bürgenstockut, të cilin e kanë meremetuar për 500 milionë franga, pasanikët nga Katari janë pronarë edhe të hotelit Schweizerhof në Bern dhe Royal Savoy në Lausanne.

Nga mesi i qershorit në Bürgenstock u mbajt një konferencë mbi rrugën drejt paqes në Ukrainë, ku morën pjesë 100 delegacione shtetërore nga mbarë bota. Ndonëse konferenca nuk arriti ndonjë rezultat të madh për shkak të përçarjes mes shteteve perëndimore dhe atyre të jugut global (Indi, Brazil, Afrikë e Jugut etj.) si dhe Kinës, për Rusinë vetëm mbajtja e një takimi të tillë në Zvicër ishte një sinjal i padëshirueshëm. Në prag të konferencës, Rusia (me ndihmën e Kinës) tentoi të bindë shumë shtete të refuzojnë ftesat nga Zvicra. Ndonëse morën pjesë, deklaratën përfundimtare të konferencës nuk e nënshkruan India, Brazili, Afrika e Jugut, Arabia Saudite, Indonezia, Kolumbia, Libia, Meksika, Tajlanda.

Sipas të gjitha gjasave, Rusia nuk ishte aktive vetëm në frontin diplomatik. Pas përfundimit të konferencës në Bürgenstock, ku mori pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, mediat zvicerane njoftuan se autoritetet e sigurisë në Zvicër me gjasë kanë shmangur një zhvillim potencialisht të rrezikshëm. Pak javë para konferencës, autoritetet arritën të pengojnë aktivitetet e një agjenti rus të akredituar në Bern si diplomat i Moskës. Ky person kishte krijuar kontakte në disa vende në Zvicër përmes të cilave ishte përpjekur të sigurojë armë dhe materiale të rrezikshme. Organet e sigurisë në Zvicër u vunë në gjendje alarmi, për shkak se në konferencën në Bürgenstock merrnin pjesë edhe nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, dhe presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski.

Para konferencës u zhvilluan disa bastisje në Zvicër, autoritetet filluan hetimet preliminare, por agjenti rus i maskuar si diplomat me gjasë nuk do të ketë asnjë pasojë. Ai është larguar nga Zvicra pasi autoritetet e këtij vendi i kërkuan një gjë të tillë ambasadës ruse në Bern. Kësisoj Zvicra u përpoq ta zgjidhë këtë rast në mënyrë diskrete, pa e shpallur agjentin persona non grata.

Pas fillimit të agresionit të gjerë rus kundër Ukrainës para dy vjetësh, shtetet perëndimore kanë dëbuar mbi 600 agjentë rusë të maskuar si diplomatë. Zvicra ndërkaq nuk ka vepruar duke u thirrur në neutralitetin e saj. Në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore ruse në Gjenevë dhe në Bern janë të akredituar 220 rusë. Prej tyre një e treta janë agjentë të shërbimeve sekrete ruse, shkruan shërbimi sekret zviceran NDB në raportin vjetor për 2023. Rrjedhimisht, Zvicra është shteti europian me më së shumti agjentë rusë.

Për rusët Zvicra është vend atraktiv për spiunazh. Në Gjenevë gjendet selia e OKB-së për Europë, po ashtu edhe selitë e shumë institucioneve ndërkombëtare si Organizata Botërore e Tregtisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë. Nga Gjeneva e Zürichu lehtë mund të fluturohet nga çdo qytet në Zonën e Schengenit.

Në të kaluarën agjentët rusë kanë tentuar të sulmojnë sistemet kompjuterike të laboratorit të famshëm kimik në Spiez afër Bernit. Ata u zbuluan pasi parkuan veturën e mbushur me pajisje spiunazhi në Spiez. Dy agjentë të Moskës të cilët në Britaninë e Madhe kryen atentat me helm kundër Sergej Skripalit, një ish-agjenti rus që kishte kaluar në anën e britanikëve, më parë kishin qëndruar në Zvicër.

Sipas ekspertëve të sigurisë, shërbimi sekret zviceran ka vetëm 420 punëtorë, të cilët krahas luftimit të spiunazhit duhet të përballen edhe me rreziqet e terrorizimit dhe ekstremizmit. Megjithatë, muajve të fundit në dy dhomat e parlamentit zviceran ka filluar të ndryshojë kursi kundër Rusisë, të cilat kanë kërkuar që Zvicra në mënyrë konsekuente të dëbojë diplomatët rusë të cilët keqpërdorin imunitetin e tyre për të spiunuar. Këtë nismë e mbështet edhe qeveria. 

Krahas aktiviteteve të agjentëve rusë, në Zvicër është bërë publik edhe rasti i diplomatit Boris Bondarev, i cili në shenjë proteste kundër luftës së Moskës ndaj Ukrainës është larguar në maj 2022 nga posti i tij në përfaqësinë diplomatike të Rusisë në Gjenevë. Që nga atëherë, Bondarev gëzon mbrojtje të përhershme policore dhe jeton në një vend të panjohur në Zvicër.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Hapësirat publike në plazhe, sipas jush janë: