“Një tragjedi që po konsumohet me fëmijët tanë”, shkrimi që trazoi rrjetin

15 Shtator 2023, 14:56| Përditesimi: 15 Shtator 2023, 15:04

  • Share

Të ftuara në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishin psikologia Orjola Pampuri dhe avokatja Mirela Jorgo, të cilat folën për një shkrim që kishte bërë psikoterapistja Victoria Prooday, lidhur me kujdesin e prindërve për fëmijët. Artikulli fliste për neglizhencën që kanë prindërit e ditëve të sotëm ndaj fëmijëve, komunikimin e pakët dhe varësinë nga teknologjia. Psikologia e njohur Orjola Pampuri tha se sipas studimeve të fundit, 10 vite më parë ishte bërë një parashikim se sëmundjet mendore do të ishin dominante më shumë se sëmundjet kardiovaskulare.

”Brezat sot jetojnë me teknologjinë dhe janë të varur, prindërit janë të papërgatitur për teknologjinë dhe prindërimi nuk është një detyrë e lehtë” e nis kështu bisedën Oriola Pampuri, duke theksuar se koha sasiore ka më shumë rëndësi se koha cilësore kur qëndrojmë me fëmijët.  

Nga ana tjetër, avokatja Mirela Jorgo tha se sot dilemat e prindërve janë: të jenë prindër liberal apo të jenë prindër autoritar. ”Prindërimi është një detyrë komplekse dhe jo e lehtë, por e mesmja e artë është zgjidhje, për mua do ishte mirë që prindërit të ishin me autoritet” tha më pas psikologia Orjola Pampuri.

Sipas zonjave në studio, teknologjia është një problem që po krijon varësi në këtë brez dhe prindërit bëjnë sa munden, pasi shpesh teknologjia jep dhe informacione të pafiltruara.

”Ne duhet të dimë t’i themi jo fëmijëve tanë, një JO i bën mirë, pasi i mëson fëmijët që të reagojnë, pasi jo çdo gjë u duhet plotësuar” tha psikologia Orjola Pampuri, duke shtuar se një fenomen që po vihet re tani është stresi i shtuar tek fëmijët, që më parë nuk është vënë re si fenomen. Sipas zonjave në studio, fëmijëve u duhet ofruar një alernativë për të kaluar kohën pa teknologji, duke u rritur besimin tek vetja e duke qëndruar larg teknologjisë.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni urdhrin për heqjen e pushimeve verore për policët?