Një siklet i pakuptimtë ndaj LGBT

14 Maj 2016, 12:09| Përditesimi: 25 Maj 2016, 18:20

  • Share
Ka një siklet të përgjithshëm në Shqipërinë e 2016 për të folur për homofobinë dhe për komunitetin homoseksual në përgjithësi. Edhe pse janë bërë hapa gjigandë, shoh se dhe në ambjente që duhet të jenë avangardë të mendimeve dhe të mendjes e shpirtit të hapur, ka kundërshtim, bezdi, injorim. Sot, në ditën e protestës së organizuar kundër homofobisë në Tiranë nga LGBT, edhe pse ishin të pranishëm ambasadorë të rëndësishëm si ai amerikan Doland Lu dhe ambasadorja holandeze Dewi van de Weerd, vetëm televizioni Report TV e transmetoi Live. Një fenomen i çuditshmë duke njohur garën e televizioneve të shumta all news në Shqipëri për të transmetuar çdo gjë.
Eshtë ky fenomen "siklet" mes gazetarëve, mes intelektualëve, në shoqëri në përgjithësi. Lajmet mbi aktivitetet e LGBT në Shqipëri komentohen shumë vrazhdë nga lexuesit në përgjithësi, e megjithatë hapa përpara janë bërë, që kur homoseksualët dënoheshin, keqtrajtoheshin deri vonë nga struktura shtetërore si policia. Sot kjo gjë nuk ndodh shpesh për fat të mirë.
Shumë janë të mendimit se: "OK, janë homoseksualë, përse duhet ta thonë, përse duhet të marshojnë, përse duhet të bëjnë parada. Eshtë sikur, - më thote një kolege - të bëjmë parada se jemi heteroseksualë". Por jo, nuk është njësoj.
Të flasësh fort për një fenomen diskriminimi është detyrë qytetare e një shoqërie, dhe për të bërë "normal" fenomenin, duhet edhe "shokuar". Kur trasgenderi Lepurushja, në një emision televiziv foli për një operacion plastik që ëndërronte të bënte, nuk kishte pse të skandalizonte gjithë shoqërinë më shumë se sa vajza normale që operacionet plastike për të ndryshuar fizionominë e tyre mund të numërohen edhe mbi 100.
Çdo individ homosoksual nuk është "një gabim i natyrës", nuk është ndryshe, nuk është i sëmurë. Çdo individ homoseksual është i tillë sepse natyra, apo Zoti për kë bëson, e ka bërë të tillë. E ka bërë me ndjenja të tilla, siç i ka bërë njerëzit me ngjyra të ndryshme të syve, me flokë e lëkurë të ndryshme; na pëlqen apo jo, kjo është thjeshtë një çështje shijesh që nuk duhet të bezdisë askënd.
Nëse natyra ka bërë një pyll mështeknash apo lisash, që dikujt i pëlqejnë, nuk do të thotë që t'i vërë flakën një pylli dushku, sepse nuk e preferon.
Njerëzimi ka kaluar etapa të frikshme zhvillimi për të pranuar mes vetes të ndryshmit: ata me lëkurë të ndryshme, ata me kulturë të ndryshme, ata me preferenca seksuale të ndryshme. Luftëra, vrasje, debate, protesta janë bërë e po bëhen për këtë, por një gjë vendet më të qytetëruara na mësojnë: vetëm zemra e madhe dhe gjithëpërfshirja na përmirëson dhe na zhvillon.
Shpresoj që dhe ne shqiptarët të ecim natyrshëm drejt zemërgjerësisë që na karakterizon, pa ofenduar e pa lënduar askënd.

  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?