Një oborr në Lushnje plot me pemë të bananes, historia e veçantë e fermerit Përparim Agaçi: Lulet e bananes më shpëtuan jetën

13 Nëntor 2023, 12:52| Përditesimi: 13 Nëntor 2023, 16:50

  • Share

Me kameran e “Rreze Dielli” kemi shkuar në Lushnje, në oborrin e Përparim Agaçit. Nëse në pjesën më të madhe të oborreve në shtëpitë tona shikojmë të mbjella lule, në oborrin e Përparimit gjejmë në të gjithë sipërfaqen e tij pemë frutore të bananes, madje ai është i pari që ka mbjellë rrënjën e parë të pemës së bananes, këtij fruti ekzotik në vendin tonë. Ai na rrëfen se fillimi ishte i vështirë, iu desh një vit i plotë për të marrë frutet e para, aroma e bananeve të kopshtit të tij është e mrekullueshme dhe ndryshon shumë nga aroma dhe shija e bananeve që blejmë në treg.  

Përparim Agaçi teksa thotë se përkujdesja për rritjen e pemëve të bananes është e madhe, na rrëfen ndër të tjera se lulet që mbijnë rreth gjetheve të bananes i kanë shpëtuar jetën duke e ndihmuar në një problem të rëndë shëndetësor, pasi në kockat e tij kishte prezencë të metaleve dhe konkretisht të dioksidit të plumbit.

”Çajin e këtyre luleve e kam testuar dhe në trupin tim, pasi në vitin 2015 bëra një analizë dhe dola me dioksid plumbi në trup dhe nuk kishte asnjë lloj ilaçi që t’a largonte nga organizmi, por mora infarmacion që mund të përdoreshin për kurim pikërisht lulet e bananes dhe ashtu bëra” tha Përparimi gjatë bisedës, duke shtuar se lulet pasi thahen në hije me një napë sipër, kanë efekt kurativ. “Vura se tek lulet që binin në tokë, vinin bletët dhe këtë ia thashë Doktor Ylli Merjas, pasi më kishte parë analizat në vitin 2018 për metalet që gjendeshin në organizmin tim” shtoi Përparimi, duke theksuar se në atë kohë trupi i tij mbante aromën e plumbit, floku gjithashtu, pasi kishte punuar për shumë kohë me plasmasin dhe shitjen e biçikletave kineze. Gishtat dhe këmbët e tij nisën t’i jepnin shenja për shkak të metaleve të renda në organizëm.

”Kurën e çajit nga lulet e bananes e nis tani dhe nuk e ndaj, ndërsa në behar e pi si ujë” tha ai gjatë bisedës, duke shtuar se i rekomanduar nga doktor Ylli, ai nisi të pinte dhe lëngun e rrushit të egër, që i rezultoi shumë efikas. Aktualisht Përparimi po ndjek kurën e gjetheve të bananeve, kurë që do e vazhdojë deri në mars. Fermeri nga Lushnja foli dhe për atë që njihet si qumështi i bananes, një lëng i bardhë që del nga kullimi i degës së bananes pasi prihet.

”Qumështi i bananes mblidhet në kavanoz dhe përdoret për fëmijët e vegjël që nuk kanë zhvillim” tha Përparimi teksa shtoi se fruti vazhdon të prodhojë që nga viti 2006, kohë kur e kultivoi për herë të parë. Sipas specialistit të bimëve mjekësore Ylli Merja, fruti i bananes përmban hekur, magnez, zink dhe përdoret çdo pjesë e saj, jo vetëm fruti që konsumojmë.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?