Një kohë ekstreme kërkon masa ekstreme me ligjin special

2 Shkurt 2020, 16:50| Përditesimi: 2 Shkurt 2020, 16:52

  • Share

Sot është një moment me rëndësi të veçantë në historinë e përballjes së policisë së shtetit me krimin dhe jam i bindur që është një pikë me një rëndësi të atillë që do të shënojë një nivel të ri, jo vetëm të përballjes me krimin, por edhe të autoritetit dhe të respektit të publikut për policinë e shtetit dhe për vetë shtetin.

“Një kohë ekstreme kërkon masa ekstreme” - thotë një shprehje që daton që në kohën e Greqisë së lashtë dhe të cilën besoj se është vendi për ta përsëritur, duke pasur parasysh pikërisht këtë  moment, këtë kohë kur jemi bërë gati për një përballje ekstreme me krimin e organizuar dhe kur është ekstreme koha për t’i dhënë një përgjigje dërrmuese, jo vetëm krimit të organizuar, por dhe të gjithë atyre që ushqejnë mosbesimin tek mundësitë, tek vullneti dhe tek angazhimi ynë për të luftuar deri në fund me krimin e organizuar.

Patjetër që mund të thuhen plot gjëra në një analizë të gjatë dhe shteruese për policinë e shtetit dhe për të gjithë përpjekjen tonë të këtyre viteve të fundit për ta ngritur shtetin në një nivel tjetër dhe natyrisht për të vendosur të drejtën në vendin e vet. Por, ajo që pa asnjë diskutim nuk mund të mohohet është se sot, policia e shtetit është si asnjëherë më parë e angazhuar dhe si asnjëherë më parë e gatshme të flasë me gjuhën e rezultateve, të fakteve e të shifrave konkrete që e bëjnë absolutisht të pamundur krahasimin me të shkuarën.

Ndërkohë që, pa asnjë diskutim, ne jemi të vetëdijshëm se e ardhmja dhe Shqipëria që duam për fëmijët tanë është shumë më e mirë se sa e sotmja dhe Shqipëria që kemi sot. E për këtë jemi këtu të gjithë sëbashku e nëse mund të kritikohemi për shumëçka, nuk mund të kritikohemi kurrë për mungesën e kurajës për të ndërmarrë reforma që jo nuk u ndërmorën, por nuk u imagjinuan për vite e dekada të tëra dhe për mungesën e vullnetit për t’i çuar përpara të gjitha punët në një terren jashtëzakonisht të vështirë.

Sot, ne jemi këtu të gjithë sëbashku për të përshëndetur njësinë më të re operacionale të policisë së shtetit, OFL-në dhe për ta nxitur e njëkohësisht uruar që të ketë sukses në një mision që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për vendin tonë dhe për shoqërinë tonë dhe që fillon nesër. Nesër domethënë nesër, ditën e hënë, jo nesër në të ardhmen.

Tanimë ne kemi në dispozicion një instrument jashtëzakonisht të fortë në duart e shtetit, në duart e policisë së shtetit  dhe në duart e OFL-së. Ligji special për marrjen e të gjitha masave të nevojshëm pasurore ndaj të gjitha atyre që në 30 vjet janë dënuar apo janë akuzuar për krim të organizuar, terrorizëm, krime të rënda dhe sot ndryshe nga më parë, ne kemi një garanci më shumë, SPAK-un. SPAK-u tanimë është formuar dhe kjo është sprova e parë për vetë SPAK-un, por nga ana tjetër, duke pasur një besim absolut tek ata që janë bërthama e këtij institucioni të sapolindur, por të përgatitur për një kohë të gjatë përmes një procesi shumë serioz, siç ishte procesi i vettingut, kam shumë besim se jemi në kohën e duhur e në vendin e duhur dhe kemi forcat e duhura për të bërë një ndryshim historik në marrëdhëniet e krimit me hapësirën e vendit tonë.

Drejtori i Përgjithshëm në fjalën e tij tha një shprehje që do doja ta përsërisja për ta ngulitur në mendjen e të gjithë djemve dhe vajzave që do të përfshihen drejtpërdrejtë në këtë operacion: Duhet t’ja u bëjmë të parehatshëm atdheun atyre që janë subjektet e këtij ligji special. Atdheu për ta nuk mund të jetë sheshi për të bërë përshesh, nuk mund të jetë rruga për të ekspozuar mjetet e tyre luksoze motorike, nuk mund të jetë sheshi i ndërtimit për vilat dhe bizneset e tyre që nuk burojnë nga puna, por burojnë edhe nga gjaku i komisarëve dhe i policëve të vrarë në këto 30 vjet, nuk mund të jetë platforma e ekspozimit të muskujve në klubet dhe në hapësirat e tjera publike ku të rinjtë, familjet, mblidhen me të drejtën e tyre për të kaluar orë sëbashku pas pune, - por duhet të jetë ferri i tyre.

Ju e dini shumë mirë, shumë më mirë se unë, e dinë shumë mirë të gjithë pjesëtarët e RENEA-s që në gjithë këto vite dhe dekada kanë vënë jetën e tyre në dispozicion të kauzës së shtetit dhe janë përballur sy më sy me kriminelët më të rrezikshëm, e dinë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, e dinë Forcat Shqiponja që në shumë raste u është dashur të gjenden përballë xhamit të makinave të stërblinduara të personave që në fakt nuk meritojnë të ecin as me një gomar e jo të hipin mbi makina të stërblinduara sepse fyejnë dhe gomarin kur hipin sipër. E dinë dhe të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit se sa herë, se sa shumë herë subjekte të këtij ligji sot, janë hetuar dje, janë ndaluar dje, janë arrestuar dje, janë çuar dje përpara gjykatave dhe i kanë nxjerrë gjuhën të gjithë sakrificave dhe të gjithë besimit tuaj në shtet, duke dalë përsëri të lirë, pa u hyrë gjemb në këmbë. Edhe këta sot janë subjekte të ligjit, jo vetëm ata që janë dënuar, por dhe ata që janë akuzuar, për këto krime që parashikon ligji dhe nga nesër, do të duhet të paraqesin  provat e burimit të pasurisë së tyre.

E dini të gjithë ju shumë mirë sepse jam i bindur që ka qenë fyese dhe ka qenë lënduese për ju që jeni marrë vetë drejtpërdrejtë në këtë betejë kur kemi marrë lajmin se edhe ato asete, ato pak asete në fakt që janë sekuestruar, krahasuar me volumin e jashtëzakonshëm të aseteve tw krimit të organizuar, rëndom u janë kthyer autorëve, pas një periudhe kohe në sirtarët e gjykatave të korruptuara. Dhe autorët, me mjetet e tyre motorike të rikthyera apo nga lartësia e kateve të vilave të tyre, ju kanë përqeshur ju që dilni nga shtëpia në mëngjes e jo rrallë herë gjatë vitit e përqafoni babain, nënën, bashkëshorten, bashkëshortin, apo fëmijët, sikur të ishte hera e fundit sepse shkoni në operacione të atij niveli tw rrezikut për jetën, ku asnjëherë fundi nuk dihet edhe pse fatmirësisht falë kapaciteteve tuaja, falë forcës, kurajës dhe aftësisë suaj, në të shumtën e herëve, ia dilni ju, nuk ia dalin ata. Por kthejeni pak kokën pas dhe kujtoni miqtë tuaj, shokët tuaj, që i keni pasur në rresht, bashkë me ju e që sot nuk janë më, jo në rresht, por nuk janë më me ne. Ata nuk janë më me ne për arsye të këtyre që sot gëzojnë pasuri të bëra deri edhe me gjakun e shokëve tuaj.

Mua më vjen shumë mirë që ne arritëm, jo kollaj, nga njëra anë, që të hapim një proces historik transformimi shumë të thellë të sistemit të drejtësisë, i cili vazhdon, dhe nga ana tjetër, që sot t’u japim juve në dorë një instrument siç është ligji special për të bërë atë që jam i bindur, e keni dëshiruar ta bëni më parë dhe mbase edhe e keni menduar që nuk do mund ta bëni dot kurrë. Pse? Për shkak pikërisht të politikës.

Me vjen shumë mirë po ashtu që, ndërkohë që na duhet, të gjithë bashkë, juve të parëve, por dhe ne të tjerëve, por dhe gjithë shoqërisë, të vuajmë fyerjet dhe lëndimet nga vendimet e gjykatësve, siç ishte rasti më i fundit i një gjykatëseje pa tru, pa sy, pa veshë, pa zemër, por vetëm me xhep, që kanë sjellë lirime mostrash. Ndërkohë që sot, jemi shumë të vetëdijshëm se do duhet të vuajmë akoma pasi janë akoma në radhë gjykatës dhe prokurorë që e dinë shumë mirë që nuk kanë për ta kaluar kurrë vettingun dhe jetojnë nën togën e zezë si të ishte dita e fundit e pazarit të madh të gjësë së gjallë me moton “kap ça të kapësh”.

Edhe për ta kjo paketë ka një ilaç, edhe ata - dhe këtë ua them juve këtu e këtë duhet ta dëgjojnë të gjithë, - do përgjigjen, në mos sot, nesër, sepse njësoj si sot erdhi koha të përgjigjen të gjithë “të fortët” e “të paprekshmit” e këtij vendi, për të gjitha pasuritë e tyre, shtëpi, biznese, toka, makina, - do të vijë dhe për ata.

Vettingu nuk është gjykatë, vettingu nuk është as prokurori. Vettingu nuk ka për detyrë të ndëshkojë ata, të cilët kanë vënë pasuri marramendëse, duke e përdorur çekiçin e drejtësisë për të thyer kafkën e drejtësisë, por është vetëm faza kur ndahet i njomi me të thatin, faza kur ata, të cilët nuk justifikojnë dot pasurinë e tyre, largohen nga sistemi e ndërkohë ata të cilët dalin të pastër, siç janë të gjithë anëtarët e sotëm të SPAK-ut, futen në sistem e siç ndodh me këtë operacion, nga nesër janë sistemi i ri që bashkë me operacionin “Forca e ligjit” dhe bashkë me të gjithë policinë e shtetit, do t’u kërkojnë subjekteve të ligjit të provojnë ata burimin e pasurisë së tyre, jo më të stërmundohet gjithë Policia, bashkë me prokurorinë për të gjetur prova dhe për të provuar përpara gjykatësish që në të shumtën e herës janë kriminelë, nuk janë gjykatës dhe në të shumtën e herës, duhet të ishin bashkë me subjektet e këtij ligji, e nuk duhet të ishin atje për t’i thënë policisë e për t’i thënë prokurorisë: “ik se nuk e ke mirë dosjen, - se nga burojnë pasuritë.

Nga nesër, një letër do t’u drejtohet këtyre subjekteve e do kërkohet brenda 48 orësh të plotësojnë kërkesat e formularit për burimin e pasurisë së tyre. E pastaj, formulari do shkojë tek SPAK-u e nga SPAK-u do të shkojë në gjykatë dhe ata do të duhet të vijnë përpara gjykatësit e do duhet të tregojnë se sa fort kanë punuar tokën, se sa shumë ullinj e portokalle kanë mbledhur, se sa shumë vite kanë bërë roje natën në objekte, se sa shumë janë lodhur e janë stërmunduar në fasoneri, se sa shumë kanë kursyer nga puna e tyre e stërndershme brenda apo jashtë vendit, nëse duan t’i mbajnë ato pasuri që kanë. Përndryshe, gjithçka që ata kanë sot, nesër do të jetë pronë e shtetit dhe në radhë të parë, e policisë së shtetit, gjithçka.

Kjo nuk do të vazhdojë si në ato proceset fantastike gjyqësore që na kanë bërë gazin e botës gjatë gjithë këtyre dekadave, ku në fund fare persona me dënim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet, por kjo ka afate. 48 orë formulari, deri në 15 ditë SPAK-u, deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona e juaj, jo prona ime, se ajo nuk është prona ime për ta, ajo është prona e të gjithëve, që e gëzojnë ata.

Me pasuritë e tyre, ne do të rrisim në radhë të parë rrogat tuaja. Pasuritë e tyre do të shërbejnë si burim për të shpërblyer punën tuaj, në radhë të parë. Me pasuritë e tyre, ne do të rrisim mbështetjen për fëmijët e policëve të vrarë. Me pasuritë e tyre, ne do të mbështesim më tutje akademinë e sigurisë nga ku dalin gjenerata e reja të policisë së shtetit dhe natyrisht me mjetet e tyre motorike, ne do të shtojmë kapacitetet motorike të Policisë së Shtetit.

Paketa anti KÇK parashikon, jo vetëm kaq, por parashikon bllokimin e lëvizjes për jashtë shtetit. Parashikon kufizimin e lëvizjes ë këtyre subjekteve jashtë njësisë së tyre administrative, jo të nisen me autokolona makinash luksoze nga ana e anës e të shkojnë të nxjerrin pushkë në plazhet e Himarës e të Dhërmiut mu në mes të sezonit, aty ku mblidhen me mijëra të rinj e me mijëra turistë.

Paketa parashikon mospjesëmarrjen me ligj të tyre dhe të familjarëve të tyre në tendera apo në çdo lloj aktiviteti ku ka një qindarkë nga taksat e qytetarëve. Paketa parashikon heqjen e të gjithë licencave që ata disponojnë, ju e dini shumë mirë e unë e besoj që kushedi sa herë jeni ndjerë të fyer dhe kushedi sa herë me veten tuaj e me plot të drejtë mund të keni pasur nevojë të shfryni edhe kundër vetë shtetit, kur i keni parë këta që kanë roje, këta ruajnë me polici private, këta nuk do gëzojnë më asnjë licensë nga licensat që kanë në dispozicion.

Këta kanë mjete ndërlidhjeje, radio, këta kanë mjete ndriçimi të posaçme, këta kanë sisteme videosh e survejimesh. Nuk do t’i gëzojnë. Ose duhet të provojnë që të gjitha këto i kanë blerë duke shitur patate e duke shitur domate dhe zarzavate apo rroba të përdorura tek gabi. Po na e provuan këtë, t’i gëzojnë.

E fundit që kam është për gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar. Për ata të cilët e godasin policinë e shtetit, godasin shtetin, godasin secilin prej atyre që marrin pjesë në operacionet e kapjes së këtyre mostrave, jo me plumba, por më keq se plumbi. Me çekiçin e drejtësisë dhe e godasin jo përballë, por pas shpine që për çdo rast kur ne, shteti, do të konstatojmë vendime si ato që kemi parë në vijim, paketa kërkon brenda 3 ditësh, pezullimin e tyre nga detyra dhe fillimin e hetimeve për ta.

Ata janë bashkë, ju e dini shumë mirë që ata sot, edhe tani që po na shohin, janë bashkë. Unë ju siguroj që ne jemi bashkë për t’i bërë ata bashkë, atje ku e kanë vendin, të dyja palët. Ju siguroj për këtë.

Të gjithë ju mund të keni shumë rezerva dhe shumë kritika legjitime edhe për qeverinë, por një gjë vetëm jam i bindur që askush nga ju nuk e thotë dot, që në këto vite ju jeni tradhtuar, që në këto vite, ju nuk jeni respektuar dhe që në këto vite, kushtet tuaja nuk janë përmirësuar, edhe rroga juaj  nuk është rritur, - edhe pse nuk mjafton, asgjë nga këto nuk mjafton, - e në fund fare, që në këto vite, ju keni parë mungesë dëshire, angazhimi dhe vullneti nga ana ime dhe nga ana jonë për t’ju mbështetur fuqimisht e për ta bërë sëbashku atë, të cilën ju keni detyrë. Këtë nuk e thotë dot asnjëri nga ju.  Këtë mund ta thonë ata që nuk e dinë apo nuk duan ta dinë se çfarë sfide e vështirë është kjo sfidë e çfarë lufte e madhe është e përditshmja juaj, ndërkohë që të tjerët dalin dhe shkojnë në punë apo kërkojnë punë. Puna juaj nuk është punë, është luftë dhe është një luftë në shërbim të atdheut.

Unë jam shumë krenar që sëbashku ne mund t’i japim atdheut në këtë moment, në këtë fazë, me këtë paketë e me aftësitë tuaja, atë që atdheu kërkon prej kaq shumë vitesh, fytyrën e pastër dhe dinjitetin edhe në sytë e miqve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Ne nuk mund ta lëmë atdheun tonë që të shihet nga të tjerët, me njollat që ia vënë mbi fytyrë prej vitesh e vitesh të tëra, ata të cilët duhet të ishin bashkë me ju, bashkë me ne, në rolin e prokurorëve dhe gjykatësve, por në fakt janë bashkë me kriminelët, e sëbashku njollosin ne, njollosin atdheun.

Falë këtij operacioni, ne do të mund të jemi krenarë, që jemi sot bashkë, do të mund ta kujtojmë me shumë krenari këtë moment të punës sonë të përbashkët, por do të mund t’u japim dhe të gjithë njerëzve të zakonshëm të këtij vendi mesazhin që nuk ka shans, që ata të cilët deri më sot janë veshur me pushtetin informal të krimit e të korrupsionit në gjykata e në prokurori, tua bëjnë ferr jetën e tyre atje në komunitet, jetën e tyre atje në atë njësinë administrative, në atë bashkinë ku taksirati ua sjell të kenë fqinj mostra të tilla. Jetën e tyre kur duhet të presin me zemër të ngrirë fëmijët që u vijnë pasi errësohet, pse? Sepse kanë shkuar me shokët në klubet e natës.

Nëse u zgjata pak, shpresoj nuk jam zgjatur si zakonisht dhe ju falenderoj shumë të gjithëve për gjithçka keni bërë, ju siguroj për të gjithë mbështetjen tonë dhe ju uroj shumë sukses të gjithë anëtarëve të OFL-së, duke e mbyllur me lutjen që të kuptoni që ju keni në dorë të bëni një investim të madh dhe të shtoni kreditë e larta, por që duhet të jenë edhe më të larta të policisë së shtetit e mbi të gjitha të shtoni kreditë  e vendit tonë, në sytë e njerëzve të vet e në sytë e miqve tanë.

Komento

Komente

  • 02022020: 02/02/2020 23:03

    Po ju qeveritar e poliikan qe keni 30vjet qe villni e vrisni shqiptaret do ti gezoni miliardat e dollareve.

    Përgjigju
  • Pune te mbare dhe Suksese: 02/02/2020 22:27

    Me ne Fund Populli ,mund te Jetoje i lire ,,nga Kriminelet ,,qofshin ata te "Toke e zanun" qe Banjot i kishin nga 20 metra karg ne Obor..qofte nga ata Kriminele Ordinere .. Se fundi shyqyr dhe shpresojme qe Prinderit e cdo Qytetari,,apo Femijet e kujdo Familie,me ne fund mund te jetojne kete Jete qe na e ka dhuruar Zoti..

    Përgjigju
  • Fshataresia qeneria: 02/02/2020 18:32

    Vritini shker@atat, pastroji rruget nga fshataret me xixa e mercedese, kafshet me dy kembe qe kane marre peng nje vend te tere

    Përgjigju
  • Ben Tironci: 02/02/2020 16:55

    Te lumte tarravolja Edo i modh je

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?