Një javë pas zbulimit të rastit të parë me Omicron në Kosovë, shkon në 17 numri i qytetarëve të infektuar

4 Janar 2022, 10:52| Përditesimi: 4 Janar 2022, 10:55

  • Share

Më 26 dhjetor 2021, Kosova detektoi rastet e para me variantin Omicron të koronavirusit dhe përmbylli një vit me situatë të qetë epidemiologjike. Po këtë ditë, në Kosovë u konfirmuan 9 rastet e para me variantin Omicron. Ndërkaq, më 31 dhjetor rezultuan edhe 8 raste tjera pozitive.

Njerëzit që u infektuan me variantin Omicron raportuan një ndjenjë kruarje të brendshme në fyt si simptomë, gjë që bëri që zëri i tyre të ndryshonte ose të ngjiret.

Ndryshe nga varianti Delta, ku pacientët kishin dhimbje të fytit, tek ata të infektuar me mutacionin e ri, simptoma e vetme është kruarja e brendshme e fytit.

Ekspertët shëndetësorë në Kosovë kanë thënë se simptomat e gripit stinor dhe variantit Omicron janë të ngjashme, prandaj ata kanë kërkuar që diferencimi të bëhet përmes testeve laboratorike, raportojnë mediat kosovare.

Ndërkaq, disa studime të kryera në botë kanë sugjeruar se varianti Omicron mund të jetë më i lehtë se Delta, i cili aktualisht është variant dominues në Kosovë.

Më herët gjatë dhjetorit, Kosova dërgoi mbi 70 mostra pozitive për analizim në një laborator në Gjermani për të parë nëse në to kishte prani të variantit Omicron.

Ky variant i ri i COVID-19 fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor. Që atëherë është përhapur në mbi 90 shtete të botës.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?