Godina e ministrisë së Drejtësisë

Një ish-ministër “kokëxhel”, te kullat ku këndon si gjel

12 Prill 2023, 21:18| Përditesimi: 12 Prill 2023, 21:28

  • Share

Pardje në mesditë po lexoja revistën “Avokatia”, numri i fundit që përgatiti shoku e miku im bashkëstudent, gazetari i njohur Ilir Dhima. E theksova “I fundit” mes një trishtimi e hidhërimi njerëzor të natyrshëm për një koleg të vjetër në profesion, që pak ditë pas botimit mbylli sytë e iku pa zhurmë në atë botë!

Një jetë të tërë bashkë, si në Televizionin Shtetëror dhe në gazetën e përditëshme “Bashkimi”. Kujtova syrrëmbushur Dodonën e rrallë, veteranen e respektuar të Bibliotekës Kombëtare, nënën e Ilirit që lindi e rriti 3 djem të mrekullueshëm e kokëplotë dhe që dhanë aq shumë në Inxhinieri, Arkeologji-Antropologji e Gazetari. Kujtova bashkëshorten e rrallë Lindita që punoi e dha jo pak në fushën e studimeve Pedagogjike. Por…kujtova edhe një shprehje xixëlluese të tij, gjatë bisedës telefonike me Llazar Veron e pikëlluar në Filadelfia: “-Mos harroni djema, ruhuni nga të pabesët pas shpine dhe sidomos nga ata që u ka hipur beu në qafë !”. Ishte një paralajmërim pakëz hokatar e i sertë i viteve ’80 të monizmit, por edhe jo pa zarar në Redaksinë ku gjallonin ca spiunë (dolën lakuriq nga shkresat zyrtare të mediatizuara gjatë Pluralizmit). Pra, Iliri ishte i saktë, jo ne që e këshillonim të tregohej më i kujdesshëm nëpër mjediset ku kuvendonte me kolegë të tjerë !...Pa mbaruar shfletimin e Revistës, në kafene te Brryli më afrohet një ish-punonjës i Ministrisë së Drejtësisë(në sektorin e mirëmbajtjes).

-O bashkëvuajtësi im, a po e dëgjon se kush flet tani në Televizor ? (Ngrita kokën dhe pashë ish- ministrin që la si gjurmë në celuloidin e dikasterit e në media një foto ku qëndron në këmbë, duke kollofitur supë nga racionet e të burgosurve.

E di ti se ai që e dekretoi për Ministër, është po ai që më kishte emëruar mua në punë e që nuk e takova dot asnjëherë. Ndërsa ky bërxhuk, servil i pandreqshëm e i pabesë, ia hodhi në koshin e plehërave firmën. Megjithëse kisha fituar edhe konkursin e organizuar nga Departamenti i Administratës Publike dhe u reklamova në 2 a 3 gazeta nëpërmjet Njoftimit zyrtar(?!). Po, ore, po, ky që sot na hiqet i përvëluar si mbrojtës e interpretues gjelkokosh i Ligjit e i Kushtetutës. Si sot, 11 vite më parë, ky mëndjelehtë e milioner tepër i dyshimtë , na hodhi në rrugë si ta kishte Ministrinë pronën e babait. O Zot, na jep fuqi të mos hapim nofullat e të na shpëtojë ndonjë sharje devollite si ajo “dërdëlliti edhe ky bishtoja,. Gjyqet kundër tij i fituam në të gjitha shkallët, morëm edhe pak para dëmshpërblyese, por këto ama nuk dolën nga xhepi i tij.

Po ligjëronte ish- ministri “kokëxhel” duke e bërë rezil Edi Ramën e Qeverinë, sepse sipas tij, po shkelte rëndë Konventën e të Drejtave të Njeriut dhe Kushtetutën. Si gjithmonë, e paska me kundërshtarët e vet politikë (jo ekonomikë). Sepse ekonominë e tij private e paska në terezi jo duke ngrënë e shitur qofte a sufllaqe, por…me rrogën e shtetit ! Prandaj vërtitet, dridhet e përdridhet nga sikleti i madh për pronat e papronësuara ligjërisht prej kolegëve të tij oligarkë. Gogësin e psherëtin pa u ndalur edhe kur bie gjumë ose kur fundoset nëpër kolltuqet luksoze në zemër të Tiranës ku vlera e metrit katror trëmb edhe pasanikët. “Tregojnë se këtij gjysmagjelit të kollarisur e flokëngjyer, i bëka edhe gjeli vezë.

E ka vjelur mirë pushtetin, me çdo Qeveri që vjen e shkon. Prandaj ka rënë jo si pula, por si gjeli në thekër !”.

-Aman, më qafsh, si u bë Ministër Drejtësie i Republikës sonë hallemadhe? - ngacmuam e pyetëm një jurist të vjetër jo dosido, te tavolina përkrah.

Shkoni dhe pyesni 4 të vrarët e 21 janarit te trotuaret ngjitur me selinë e Qeverisë, te Kryeministria,-na e kthen aty për aty ai.-Atyre fakirëve të pafajshëm e me duart në xhepa, sa herë del ky me një jelek dopiopetë dhe me dosje të fryra pompoze e libra enciklopedikë pas kurrizit në rafte mobilerie moderne, me siguri u dridhen eshtrat atje ku prehen padrejtësisht.

Ky fjalaman leksionesh të ndryshkura, u gradua nga Doktori si Kryetar i Komisionit Parlamentar që u ngrit posaçërisht për atë njollë të përgjakur e tepër të zezë në historinë e qeverisjeve shqiptare që nga viti 1912. U krekos e u kapardis nën kapotën e PD-së, vuri firmën e vulën e turpshme mbi mashtrimet e manipulimet trashanike fantastiko-juridike, lau duart e pista milionere, hëngri nja dy pjata me “supë burgu” e qofte nga kioska pranë Librit Universitar, fërkoi barkun nga kënaqësia që nisi e mbaroi te stomaku dhe u hodh në krevatin e natës së mbarsur me plot ëndrra karrieriste.

Mirëpo, nuk kaluan shumë orë pas përpëlitjeve e dilemave në shtrat dhe Doktori i dha sihariqin: U gdhi Ministër Drejtësie ! Kjo është e vërteta, të tjerat janë broçkulla e kumbulla në shënëndre.

Ndërsa mua nuk më shqiten ende nga kujtesa sot e kësaj dite, lotët çurk të adoleshentes gjirokastrite Ana (vajza e Ziverit) po dhe ato të Arta Dades, në një ceremoni përkujtimore të paharruar. Babai i saj u këput nga plumbat që derdheshin prej bodrumeve të Kryeministrisë, nga armët e Gardës së Republikës ! Ana tani është rritur, është diplomuar Juriste. Përfytyroni pak çaste, një ballafaqim të saj në një sallë gjyqi, ballë për ballë me ish- Kryetarin e Komisionit famëzi ose me vajzën e vet… Shtatë vite më parë, unë isha skeptik, ndoshta njëlloj me ish-Presidentin, Bamir Topi, për reformën në Drejtësi. Madje, Bamiri ka bërë disa herë apel publik, duke kërkuar drejtpërdrejt “të bëhet Drejtësi për ngjarjet tragjike të 21 Janarit 2011”(në një intervistë a shkrim, bëri portretizimin më të plotë e të saktë të ministrit yzmeqar partiak). Skepticizmi i tij ishte real, konkret, me adresa, me emra e mbiemra. Paradokse të kohës pa kohë të maskarenjve ! Si mund të reformohej sistemi i Drejtësisë “kur njerëz që kanë mbështetur padrejtësitë e një pushteti që vrau 4 njerëz në Bulevardin e Tiranës, sot japin opinione se si do jetë Drejtësia nesër”(?!). Ja, shikoni e dëgjoni ish- ministrin kokëxhel që nuk bie gjumë e as ngrihet kur këndojnë gjelat dhe as zgjohet herët me ta. Ca kolegë të mi seriozë e pagëzojnë “gjel fushe Maliqi”.

Por në të vërtetë nuk është plotësisht pupagjel, gjel deti apo gjel i egër. E as shpend i egër uji me emrin Gjelëz. Dhe as ha ndonjëherë këmbë gjelëze “sa për aperitiv”! Mos ngjan me një gjeluc mburravec e me trup të vogël, i paaftë e i pazoti si shtetar ? Le ta mbyllim me atë urtësinë shqiptare fare pak të njohur: “Trupi gjel, truri mel !”. Zakonisht përdoret e “thuhet për një njeri që e mban veten lart por e ka kokën bosh”…

Veçse në nahijen e tij i bien më shkurt : “Ishte aq i vogël, sa i binte maces me lugë!”

B.V/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Albi: 13/04/2023 07:56

    Cfare skandali dhe gjuhe e turpshme. Nivel mediokerr. Nje zot e di si i kane futur e mbajtur ne pune neper organe publike te lajmeve te tille delenxhinj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?