Foto ilustruese

Një herë të vetme Rinia të ngrihet për veten!

13 Shtator 2022, 19:02| Përditesimi: 13 Shtator 2022, 19:09

  • Share

Në gjithë Europën kanë ndryshuar struktura të rëndësishme politike! Deshtimi i klasës së vjetër të lidershipit në Europë ka prodhuar lider të rinj e po ashtu edhe forma të reja të bërit politik dhe të organizimit politik!

Këto formacione të reja janë mbështetur në patriotizëm dhe po ashtu me format të ri që kërkojnë ndryshime rrënjësore të bërit politik e një tillë është Giorgia Meloni e cila me shumë gjasa do të jetë Kryeministrja e re e Italisë! Ajo nuk pranojë të bëhet pjesë e asnjë qeverisje duke shpresuar se kjo duhet të ndodhte vetëm me votën e italianëve! Qëndrimet e saj sa realiste dhe aq pragmatiste kanë rritur konsensusin e saj duke e afirmuar si parti të parë!

Të rinjtë europian thuajse pa dallime nuk besojnë më tek lidershipi i vjetër dhe as tek mënyra sesi ata kanë qeverisur në 30 vitet e fundit! Shqipëria është i vetmi vend ku të rinjtë kanë zgjedhur të dorëzohen dhe të largohen me gomone në Angli ose të kërkojnë çdo lloj forme për tu larguar, sepse ata nuk kanë më shpresë!

Shpresën e një Kombi e ringjallë ose e vret lidershpi! Ëndrrën e shqiptarëve e në veçantë të rinjve shqiptarë e ka vrarë ky lidership që ka 30 vjet që ricklikon vetveten pa ofruar asnjë model serioz të ri si në të bërit politik ashtu edhe si model qeverisje! Situata e vazhdueshme e këtij tranzicioni me riciklime të vazhdueshme s'ka bërë gjë tjetër veçse ka  një "taraf" e ka sjellë një "taraf" tjetër i gatshëm me farefis dhe me lidhje të forta familjare duke e bërë kështu pjesëmarrjen politike një rreth vicioz ekskluziv vetëm për ta!

Në këto 30 vite nuk ka pasur një projekt serioz politik  të përfshirjes së të rinjve apo të figurave të reja mbi bazën e vlerave dhe të meritokracisë! Çdo protestë që vjen ose organizohet nga ky realitet politik që ka Shqipëria sot, në thelb nuk sjellë asgjë të re e aq më pak diçka për të ngjallur shpresën e të rinjve!

Ka vetëm një mënyrë për të mundur dhe për të mposhtur këtë lidership të konsumuar dhe fajtor për vrasjen e shpresës : të rinjtë të ngrihen masivisht dhe të protestojnë pa pushim në çdo shesh apo rrugë derisa këta që janë- pa përjashtim- të dorëzohen, të largohen e të heqin dorë nga jeta politike!

Rinia duhet të ngrihet për veten, shpresën e tyre, të ardhmen e tyre dhe për vendin e tyre! Ideali i kryengritjes duhet të jetë dashuria vendin dhe po ashtu për dinjitet dhe për meritokraci! Riciklimi apo largimi i një tarafi dhe ardhja e një tjetri duke ndryshuar vetëm fytyrat, por jo mendësinë e bërjes politikë dhe të qeverisjes së vendit nuk është ajo që kanë nevojë dhe duan të rinjtë!

S.C/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord që personat e së njëjtës gjini të martohen ligjërisht?