Një fjalë e ngrohtë…

20 Nëntor 2020, 20:53| Përditesimi: 20 Nëntor 2020, 20:55

  • Share

E kam ndjerë gjithmonë nevojën e fjalës, sidomos fjalës së ngrohtë. Kam gjithmonë nevojën e një gjesti, padyshim të ngrohtë. Nuk e kam nga stina, meqë është ftohtë. Por sidomos këto kohë kam vazhdimisht ftohtë.

Jetojmë në kohëra të ftohta, mes ankthit se mos ftohemi, por nga goja askujt nuk i del një fjalë e ngrohtë. Në telefon, në rrugë të gjithë shmangim njëri-tjetrin. Dhe fjalët, fjalët i kemi të ftohta. “E more vesh sa u sëmurën sot”, “Nuk mbeti njeri pa u sëmurur”. U bëmë ekspertë, infeksionistë, virologë, gjithologë edhe në mjekësi. Pini aspirina, pini vitamina, si këngë Raxhkapuriane, flasim pa i thënë asgjë njëri-tjetrit. Nuk kemi asnjë fjalë të ngrohtë. As më të voglën dëshirë për ta mbrojtur tjetrin së paku nga lajmi që ka muaj që e dëgjon. Virusi po futet te fjala. E vetmja që mund të na (më) ngrohë. Dhe e presim fjalën nga tjetri. Me siguri e presim. E duam të gjithë një fjalë të mirë. Eh, po por nuk nxore vetë nga goja një të mirë fjalë, më kot pret që ta dëgjosh nga tjetri.

Në këtë të ftohtë që na ka hyrë si krimbi në dollapin që gjyshja e solli në pajë dhe mamaja nuk ia flaku dot kurrë duhet ngrohtësi. As festat nuk ngrohin, po nuk na ngrohu fryma. Mbaj mend kur afroheshim në sobën e shkollës që ia ndërruan emrin, por që mbetet “11 janari”, sesi ngroheshim përsipër saj me frymët tona. E mbaj mend mirë, ndoshta ngaqë ishte koha që duheshim vërtetë. Ishte koha kur pambuku në dritaret e klasës dhe shiritat me letër punëdore do të na nguliteshin si imazh (jo të gjithëve sigurisht) për vite, sa herë do të kishim nevojë për dashuri…

Komento

Komente

  • Njoni: 21/11/2020 10:41

    Nostalgji. Është rasti të themi që ishim më mirë kur ishte më keq sesa sot që gjoja nuk na mungon gjë. Shkurt, kishte dashamirësi mes njerëzish, ekzistonin vlerat dhe njerëzit negativë mbaheshin larg nga shoqëria. Sot ndodh komplet e kundërta.

    Përgjigju
  • Dori: 20/11/2020 21:16

    Nje shkrim shume i goditur ne kete kohe. Na solle ne kujtese edhe shiritat me pune dore, i kisha harruar :)

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?