Një ëndërrimtar si francezi Julien Guéraud, fitues i edicionit të II të Travel Fest Albania

9 Korrik 2023, 13:46| Përditesimi: 9 Korrik 2023, 13:48

  • Share

Gjithnjë ka qenë një fëmijë ëndërrimtar dhe ndonëse ëndrrat i kishte me tepricë, ua vinte veshin atyre që e rrethonin, se për të patur një film të mirë tëndin kërkohet durim, shumë durim. Ishte vetëm 15 vjeç kur e nisi këtë rrugëtim sa të vështirë, po aq edhe përmbushës. Ndonëse një e mirë e ka shoqëruar prej lindjes; ai gëzon pashaportë franceze dhe vjen nga vendlindja e kinemasë. Por, kjo e mirë e konsiderueshme nuk e ka stepur kurrë për të njohur terrene dhe njerëz të rinj, qoftë edhe Tiranën.

Për Julien Guéraud është hera e parë që vjen në Shqipëri. Ai premton se nuk do të jetë e fundit. Dhe e përforcon këtë premtim, ndoshta sepse Tiranës i mori atë çka nuk kishte parashikuar kurrë.

 Çmimin e “Filmit më të Mirë” nga Travel Fest Albania. Pritshmëritë për pjesëmarrjen në festival, ishin fare të pakta. Por kjo është e bukura e të qenit regjisor, sipas Julien, të nxit drejt eksplorimeve të shumta dhe befasive të këndshme. 38-vjeçari nga Franca, konkurroi në TFA me produksonin “Quest for Silence”.

Është një film që trajton ndotjen akustike, për një arsye të logjikshme në vetvete. “Ndryshe nga karakteri i ndotjeve të shumta, ndotja akustike është thjesht e padukshme. E ndjeja të nevojshme për t’i dhënë vizualitet kësaj problematike dhe s’mund ta bëja veçse me një histori të fortë. Për të patur një audiencë të përfshirë emocionalisht, që të nesërmen të jetë e ndërgjegjësuese, kjo ishte e vetmja mënyrë”, - thotë Julien.

Detajeve, ai nuk i futet. I riu beson fort se filmi i tij e përçon më së miri mesazhin, edhe te më skeptikët. Për më tepër, Julien nuk e konsideron veten një të rritur të zakonshëm, që vërvitet rreth detajeve, duke i humbur kështu nëpër grushta grimcat e magjisë. Ai thotë se ka mbetur po i njëjti fëmijë ëndërrimtar, ndonëse në një trup prej të rrituri. Me po të njëjtën dozë kreativiteti.

“Kur ti je regjisor filmi dhe konkurron në një festival siç është Travel Fest Albania, punës tënde i vjen fundi. Do përdorja si krahasim marrëdhënien prind-fëmijë. Kur ky i fundit rritet, prindërve nuk i mbetet asgjë për të bërë, veçse për ta lënë të lirë, ta jetojë jetën me gabimet e frytet e saj. E njëjta gjë vlen për filmin”, - shprehet Julien teksa i referohet raportit film-audiencë. “Përpos gjithçkaje, është mjaft interesante të shohësh se si njerëzit në Shqipëri e perceptojnë filmin tënd”, - vijon ai. 

Megjithatë, i rrituri çapkën na thotë se “Quest for Silence” është xhiruar për 12 ditë, në disa vende të Francës. Dhe vështirësitë e realizimit, duket se preferon t’i ndajë. Julien ka një tjetër krahasim nën mëngë. “Të bësh diçka të ngjashme me “Quest for Silence” është si të ngjisësh një mal. Ti asnjëherë nuk ke shumë para, aq më pak njerëz pranë. Nuk është aspak e lehtë, sepse praktikisht të duhet të bësh gjithçka thuajse vetë”, - thotë Juelien.

Ai ka vetëm një peng nga udhëtimi 5 ditor: Do të donte ta njihte Tiranën shumë më mirë nga ç’pati mundësi ta njihte mes kolegësh të huaj. Do sa më s’ka që e dyta herë ta sjellë si turist francez. “Tirana ka vende mjaft të bukura dhe fatmirësisht, në disa prej tyre, si amfiteatri apo muzeu, u shfaq edhe “Quest for Silence”. Jam gjithashtu i befasuar, me aq nga sa mund të shihja, nga forca e arkitekturës. Falë saj, munda të ndjej vibrime historike, në çdo rrugë të përshkruar”, -  shprehet Julien duke i mëshuar nevojës për ta shëtitur më tepër kryeqytetin, me gjithçka që ofron.

Ai thekson se në Shqipëri dëshiron të jetë një turist me GPS që s’do ta lërë në baltë dhe paralelisht edhe të shohë se si një festival si Travel Fest Albania, me përkushtimin dhe dashurinë që ka ndaj filmit, të marrë përmasa ndërkombëtare.

Ka për të thënë diçka të fundit edhe për të rinjtë, që e duan artin, gjuhën vizuale dhe karrierën pas një kamere. “Do iu them të njëjtën gjë që më është përsëritur qindra herë në jetë. Duhet të jeni të duruar. Është një rrugë kilometrike, por suksesi ndodhet aty. Sa larg jush? Këtë nuk di t’ua them. Por mund t’iu them se përgjatë rrugës, janë të gjitha mundësitë për të përftuar ndjesi të forta dhe pozitive…”, - përfundon Julien Guéraud.

Shënim: Më 7 Korrik u përmbyll rrugëtimi konkurrues i 50 autorëve të huaj në Travel Fest Albania. Plot 22 çmime u ndanë për filmin dhe 6 për fotografinë më të mirë. Edicioni i II i TFA, ndryshe nga i pari, erdhi me risinë e të qenit jo vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës e Gjirokastër.

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Tragjedia në Shkodër, a duhet gratë të denoncojnë çdo formë dhune?